Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se dëmet nga sulmi në Bergjani po sanohen.
Përmes një postimi në Facebook, krahas fotografive lidhur me punimet, Krasniqi tha se askush nuk mundet të ndalë kthimin e qytetarëve në pronat që i përkasin.
Tutje ministri shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë.
“Dëmet nga sulmi në Bergjani po sanohen. Askush nuk mund të ndal kthimin e qytetarëve në pronat e tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofroj siguri të plotë dhe banim të qendrueshëm për të gjith qytetarët e saj”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, një shtëpi është sulmuar sot në orët e para të mëngjesit. Lidhur me këtë rast ka reaguar kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.
Atiq tha se e dënën ashpër këtë sulm ku sipas tij qëllimi ishte vetëm shqetësimi i qytetarëve.
“Mbrëmë pas mesnatës, është sulmuar një nga shtëpitë e ndërtuara në veri të Mitrovicës nga Qeveria e Kosovës në lagjen Bergjani. Sulmi ka ndodhur rreth orës 00:30, ku fatmirësishtë dëme në njerëz nuk ka pas, përveç dëmeve materiale. E dënoj ashpër çdo sulm që ka për qëllim t’i frikësojë qytetarët nga kthimi në shtëpitë e tyre.” – ka shkruar Atiq në Facebook. /TelegramNews/