U investuan 1.3 milionë euro për të zgjidhur problemin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, por duket se jo gjithçka ka shkuar mirë.
E si pasojë e kësaj, tani duhet punohet sërish në stadiumin që ndodhet në zemër të kryeqytetit.
Para pak çasteve, FFK ka publikuar një video të inspektimit të fushës nga Agim Ademi, Hajrulla Çeku, e Hocaohlu, drejtori i agronomisë e eksperti i fushave, ku kumtohet lajmi se në 25 ditët e ardhshme do punohet intensivisht, pasi rritja e barit natyral do kohë.
Më poshtë keni njoftimin e FFK-së:
“Presidenti Agim Ademi dhe Ministri i Sportit Hajrulla Çeku vizituan stadiumin “Fadil Vokrri” së bashku me ekspertët e fushave nga UEFA.
Dr. Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, shpjegoi se bari natyral është në proces rritjeje dhe për këtë është e nevojshme kohë. Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj.
Në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të.
Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës më 15 tetor”, shkruhet në njoftim.