Stadiumi “Fadil Vokrri” do t’i mirëpresë dy ndeshjet e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, që zhvillohen më 8, përkatësisht 15 gusht, si dhe ndeshjen e javës së parë të AlbiMall Superligës, Prishtina – Suhareka 23.
Agim Ademi ka bërë të ditur se e ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ që këto ndeshje të zhvillohen në stadiumin e rinovuar.
“Kemi vendosur që të lejojmë zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, përkundër faktit që fushës ende i duhet kohë, por stafi i stadiumit e ka bërë të pamundurën që ajo të përgatitet në kushte optimale. Nuk kemi dashur që klubet tona të vijnë në situatë që t’i zhvillojnë ndeshjet e këtij rrethi jashtë vendit. Uroj që ato të kenë sukses në fushën e re të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe të kalojnë tutje në Ligën e Konferencës”, ka theksuar kreu i FFK-së.
I pari që do të zbresë në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë ekipi i Ballkanit, që ndeshjen e parë të rrethit të tretë kundër skuadrës nga Irlanda e Veriut, Larne e luan si vendas, më 8 gusht, derisa më pas më 11 gusht, Prishtina do të luajë kundër Suharekës 23, si dhe më 15 gusht Drita do të jetë mikpritëse e skuadrës FK Auda nga Letonia