Një skandal ka shpërthyer në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës së Kosovës – MPJD. Afro 1000 pasaporta diplomatike nuk kanë shkuar tek personat që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K. e kontraktuar nga ministria e Gërvallës.
Pas një zhvillimi dramatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kontrata me operatorin ekonomik për shërbimet postare diplomatike është ndërprerë dje. Demokracia.com posedon vendimin për ndërprerjen e kontratës dhe ndonëse nuk ceket në vendim, nga burime brenda MPJD-së mësohet se qindra pasaporta i janë avulluar kësaj kompanie.
Kontrata e shërbimeve postare diplomatike, me numër 216-23-13152-2-1-1, u ndërpre zyrtarisht pas pranimit të rekomandimit nga menaxheri i kontratës, bazuar në Rregulloren nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, Neni 72, pika 72.1 dhe 72.9. Menaxheri i kontratës dërgoi një rekomandim tek Departamenti i Prokurimit, duke argumentuar se operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e afateve kohore të përcaktuara në kontratë.
Bazuar në këtë dokument, një nga shkeljet më të mëdha ishte mosrespektimi i afateve kohore për dërgesat diplomatike.
“Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim, përcjell Demokracia.com.
Situata u përkeqësua me një incident tjetër të rëndë më 1 korrik 2024, kur një dërgesë nga Ambasada e Kosovës në Romë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) mbërriti me zarfe të dëmtuara, përfshirë lëndë gjyqësore. Menaxheri i kontratës reagoi menjëherë, duke i dërguar operatorit ekonomik dëshmi të gjendjes së dokumenteve të dëmtuara dhe kërkoi shpjegime. Një tjetër problem u raportua më 17 korrik 2024 nga Ambasada e Kosovës në Bern, e cila raportoi se posta diplomatike nuk ishte dorëzuar në ambasadë, por ishte lënë në një postë publike jashtë ndërtesës.
Menaxheri i kontratës vazhdoi të komunikojë me operatorin për të kërkuar përmirësime të shërbimit, por situata nuk u përmirësua. Edhe pas vërejtjes së parë, më 9 tetor 2024, operatori nuk respektoi afatet kohore për dërgesat e tjera, konkretisht për 12 dërgesa të datës 2 tetor 2024, të cilat nuk arritën me kohë në destinacionet e përcaktuara. Si rezultat, më 15 tetor 2024 u vendos që operatorit t’i dërgohet vërejtja e dytë me shkrim.
Një takim i rëndësishëm u mbajt më 18 tetor 2024 për të diskutuar mosrespektimin e afateve, ku u theksua se një numër i konsiderueshëm dokumentesh, përfshirë 406 pasaporta dhe 165 letërnjoftime, ende nuk kishin arritur në destinacion. Menaxheri kërkoi nga operatori që deri më 21 tetor 2024, ora 12:00, të jap një përgjigje të detajuar për arsyet e mosdërgimit në kohë.
Në përgjigjen e tij, operatori ekonomik justifikoi vonesat duke theksuar kompleksitetin e procesit dhe përfshirjen e shumë aktorëve. Ata kërkuan kohë shtesë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, duke pretenduar se janë duke e trajtuar çështjen si prioritet të lartë. Megjithatë, operatori u shpreh se dokumentet nuk ishin pranuar ende nga partnerët logjistikë, duke krijuar një zinxhir vonesash të papranueshme për një shërbim kaq të rëndësishëm, siç është posta diplomatike.
Pas shqyrtimit të situatës dhe dështimeve të njëpasnjëshme të operatorit për të përmbushur detyrimet, u vendos ndërprerja e kontratës. “Në mbështetje të Nenit 87.2.4 të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, dhe duke u bazuar në rregulloren përkatëse për prokurimin publik, ky vendim është i ligjshëm dhe përfundimtar. Kostoja totale e kontratës ishte 250,000 euro, ndërsa deri në ndërprerje ishin kryer pagesa prej 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator”, thuhet në vendimin për ndërprerje të kontratës të siguruar nga Demokracia.com.
Ndërprerja e kontratës erdhi pas një periudhe të gjatë ankimimesh nga qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për vonesat dhe cilësinë e dobëta të shërbimeve.