Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se do të protestojë më 14 nëntor në ora 11:00 para Ministrisë së Shëndetësisë.
Në njoftim thuhet se vendimi për protestë u mor në mbledhjen e rregullt të kryesisë, ku u diskutuan sfidat kryesore që po përballet sektori i shëndetësisë në Kosovë.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka vendosur të organizojë një Protestë më 14 Nëntor 2024, në ora 11:00, para Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë protestë, FSSHK shpreh pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e qeverisë për një rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, si dhe mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale”, thuhet në komunikatë për media.
Sipas FSSHK-së, këto veprime pengojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe zhvillimin e një sistemi shëndetësor më të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë profesionistët shëndetësor.