Vlerësimet për shkeljet kushtetuese të Kuvendit të dominuara nga shumica parlamentare, reflekton një Kuvend që ka shkelur Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë, në sesionin pranveror.
Kështu vlerëson Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), përmes analistit Naim Jakaj.
Mendim të njëjtë për dështimin e Kuvendit në rolin e tij në sesionin pranveror kanë dhënë edhe Përparim Gruda i PDK-së dhe Blerim Burjani, profesor Universitar dhe ekspert i sigurisë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Kuvendi i Kosovës në sesionin pranveror nuk e ka përmbushur rolin kushtetues, por ka bërë shkelje të mëdha në raport me transparencën, kushtetutën dhe llogaridhënien e Qeverisë përballë Kuvendit.
Sipas IKD-së Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është shkelur edhe me ligjin për zyrtarët publikë, për mos respektimin e afatit prej gjashtë muajsh të vendosur nga gjykata.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së Naim Jakaj ka thënë se sasia e projektligjeve për të cilat pushteti po krenohet se i ka bere pjesa dërmuese e tyre janë marrëveshje ndërkombëtare e një e treta, ligje të cilat ndryshojnë dhe plotësojnë ligje aktuale.
Ai ka thënë se pretendimet elektorale të paraqitura në Planin Kombëtar Zhvillimor në programin e qeverisë 2021-2025, nuk janë miratuar. Këtu ligjin për Banim Social të Përballueshëm e Ligjin për Punë.
Gjatë sesionit pranveror deri ne seancën e fundit, Kuvendi miratoi në tërësi 36 projektligje, 21 prej të cilave janë proceduar në vitin 2023 dhe 15 të proceduara në vitin 2024.
Sasia e projektligjeve për të cilat pushteti politik po krenohet se i ka bërë, pjesa dërmuese edhe pjesa tjetër, janë ligje të cilat plotësojnë ligjet aktuale.
Nuk janë miratuar premtimet elektorale të parapara në planin kombëtar.
Ligji për Banim Social të Përballueshëm, Ligji për punë, ligjet në reformën e drejtësisë tashmë asnjëri nuk është nënshkruar as ka hyrë në fuqi për shkak se u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese”, pohuar ai.
“Kjo legjislaturë përveç se ka shkelur kushtetutën nuk ka zbatuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese siç ka qenë rasti me Ligjin për Zyrtarët Publikë, ligji i cili nuk është miratuar as në lexim të dytë. Edhe ligji për Pagat në Sistem Publik tani ka kaluar 4 ditë që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Shkeljet e transparencës janë të theksuara në këtë raportim për punën e Kuvendit dhe ky vit nuk dallon asgjë për më mirë krahasuar me vitin e kaluar.
Puna e Kuvendit është përcjellë edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës siç ka qenë tek ligji i Komisionit të Pavarur për Media, tek kundërligjshmëria e komisioneve hetimore e deri tek mbikëqyrja e dobët parlamentar.
“Kuvendi është përballur me punë të dobëta të Komisioneve Hetimore Parlamentare, duke shtuar se shumica parlamentare është bërë pengesë që hetimet të shkojnë sipas kërkesës së vendosur sipas vendimit të Komisionit hetimor.
Përparim Gruda i PDK-së: Kjo Qeveri s’ka respekt për shtetin as Kushtetutën
Shkeljet e kushtetutës gjatë Qeverisë Kurti kanë qenë të shumta.
Kjo është në fakt, Qeveria që ka shkelur më së shumti Kushtetutën në historinë e Kosovës dhe ndoshta edhe në gjithë Ballkanin.
Përparim Gruda ka thënë se kjo ndodh për dy arsye:
“Mungesa e respektit që ka kjo qeveri ndaj Kushtetutës dhe shtetit të Kosovës, të cilin nuk e ka njohur deri vonë.
2. Mungesa e profesionalizmit në këtë Qeveri.
Ata nuk dinë të hartojnë ligje”, thotë ai dhe shton se “PDK i ka bërë shërbim Kosovës duke i çuar rastet në Gjykatën Kushtetuese .
Këto nuk kanë qenë fitore të PDK-së, por fitore të Kushtetutës dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Gruda për gazetën telegram News .
Profesori universitar dhe eksperti juridik Blerim Burjani ka folë për gazetën duke thënë se “ sa u përket shkeljeve Qeveria deri më tani ka shkelë Kushtetutën me Ligjin Tavan për çmimet, Ligjin për Byronë Hetuese, Ligjin për Vetingun. Ministrja Nagavci, me sa kam njohuri edhe Ligjin për Fondin Sovran, Ligjin për KPMK.
Deri më tani LVV është ankuar se ligjet po ia rrëzon opozita përmes Gjykatës Kushtetuese, por unë besoj se LVV i ka dy probleme:
E para se nuk mund ta rrënojë Kushtetutën përmes ligjeve që bien ndesh dhe e dyta, ata nuk kanë kapacitete të brendshme profesionale për të hartuar ligje që nuk prekin rendin kushtetues.
LVV, nuk është e interesuar të përforcohet me këshillë dhënie, por i mjaftojnë idetë, prej ideve në ligje nuk shkon kjo logjikë, pasi nuk mund të krijosh sistem paralel rendi, rendi është unik ose janë ligje me përputhje me rendin dhe “aqui Communitar” që mendon të jetë pjesë e BE-së.
Pra, obligohesh që mos me bë hapa që të kundërshtojnë integrimet evropiane”, ka thënë Burjani.
Rreth shkeljeve kushtetuese të Kuvendit, LVV nuk i është përgjigjur gazetës./S.Krivaqa