Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka publikuar një strategji të shumëpritur për të luftuar urrejtjen kundër myslimanëve dhe kundër arabëve, pas një rritjeje të madhe, qysh prej nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasi.
Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Dokumenti prej 64 faqesh është publikuar vetëm disa javë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili pati vendosur ndalesë në udhëtim për banorët e disa shteteve me myslimanë myslimane, përgjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Në dokumentin e prezantuar janë vërejtur ngjashmëri me strategjinë për të luftuar antisemitizmin, të përpiluar nga Shtëpia e Bardhë në shtator të vitit 2023.
Strategjia është publikuar më shumë se një vit pas vrasjes së djaloshit gjashtëvjeçar Wadea Al-Fayoume, i cili është therur me thikë vetëm pse ka qenë palestinezo-amerikan.
Biden e ka quajtur këtë sulm të “neveritshëm”, ka folur për rritjen e krimeve që kanë bazë në urrejtjen kundër myslimanëve dhe arabëve, të cilat i ka quajtur të papranueshme.
“Myslimanët dhe arabët meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe të shijojnë secilën të drejtë, ashtu sikurse të gjithë amerikanët tjerë”, ka deklaruar Biden.
“Politikat që rezultojnë me diskriminim kundër disa komuniteteve, janë të gabueshme dhe nuk na garantojnë sigurinë”.
Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, organizatë civile për të drejta të njeriut, ka thënë se strategjia është publikuar “vonë”, dhe e ka fajësuar Shtëpinë e Bardhë që nuk i ka mbajtur premtimet, përfshirë dhënien fund të luftës në Gazë, që ka rritur islamofobinë.
Trump, i cili e ka fituar mbështetjen e një pjesë të myslimanëve të zemëruar me mbështetjen e Bidenit për Izraelin në luftën në Gazë, ka thënë se do të vendosë ndalesë për hyrje në SHBA, për secilin që ka pikëpyetje për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, dhe do t’ua pamundësojë studimet studentëve të huaj që kanë qasje “antisemitike”.
Tensionet mes grupeve pro-izraelite dhe pro-palenestize në disa kampuse amerikane janë rritur dukshëm, pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit 2023.
Si pasojë e sulmeve janë vrarë mbi 1.200 njerëz dhe janë marrë peng mbi 240 të tjerë.
Izraeli ka nisur më pas fushatë ushtarake në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit Hamas.
Si pasojë e ofensivës janë vrarë më shumë se 45.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./Radio Evropa e Lire