Të gjitha institucionet arsimore publike dhe jopublike të arsimit parauniversitar nisin vitin e ri shkollor. Janë rreth 350 mijë nxënës të cilët nisin këtë vit, shkollor ndërsa 28 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Sipas strukturës së publikuar më herët nga ministria e arsimit përsa i takon arsimit bazë, bëhet e ditur së viti shkollor do të nisë në datën 9 shtator të vitit 2024, për të përfunduar më 13 qershor të vitit të ardhshëm.
Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa përudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përmes një video të publikuar në rrjetet sociale thotë se ky vit ka sjellë risi dhe investime të rëndësishme, ndër to fakti se 31 mijë mësues e nisin vitin shkollor me paga të rritura. Prej 9 Shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës.
Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023.Gjithashtu 10 ditë më parë u bë publik edhe urdhri për përcaktimin e kritereve për miratimin e “mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë” dhe të “mësuesit koordinator të këshillimit të karrierës” në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar.
Mbi 238 mijë nxënës përfituan këtë vit shkollor librat falas.
Më herët ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu deklaroi se vijon puna me programin e mbështetjes nëpërmjet trajnimit të mësuesve ku prej shtatorit do të fillohet me fazën e dyte të trajnimeve nëpërmjet Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve ku parashikohen 16 mijë mësues të trajnuar përgjatë këtij viti shkollor./rtsh