E Ngarkuara me Punë të ShBA-së në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Katherine Brucker, ka shprehur shqetësimin e vendit të saj lidhur me “veprimet e pakoordinuara dhe provokuese” të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat, sipas saj, kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.
Sipas Brucker, këto veprime “i vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.
“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë Misionin në terren të OSBE-së në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcën e Kosovës, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit”, ka thënë Brucker.
Në deklaratën e saj, Brucker ka thënë se ShBA-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën si një demokraci sovrane, multietnike dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve të saj të promovojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe që respekton të drejtat për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.
Sipas saj, çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë “duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është rënë dakord nga të dyja palët”.
Brucker tha se ShBA-ja e sheh të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe të integruar plotësisht në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
“Dialogu i normalizimit i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të siguruar që Kosova të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj dhe të përparojë në rrugën e saj evropiane. Ne përsërisim thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara me urgjencë në zbatimin e marrëveshjes që e arritën në mars 2023. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, potencoi Brucker. /EO