Gjatë adresimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ishte test për perëndimin, test për ato që pritet të vijnë.
“Sulmi i Serbisë më 24 shtator të vitit të kaluar është planifikuar si invazion ushtarak dhe aneksim i një vendi paqësor me mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë këtë, ky ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit ndaj një vendi me prezencë të NATO-s, është test për perëndimin, test për ato që pritet të vijnë”, tha gjatë fjalës së saj shefja e diplomacisë kosovare.
Tutje tha ajo se Vuçiqi e Putini nuk janë dorëzuar.
“Prandaj na duhet zmbrapsja e tyre pikë së pari e pastaj dialogu. Vetëm me zmbrapsje të tillë mund të kemi paqe e siguri, sepse kur Vuçiqi e Gjuriqi e të tjerë në Serbi thonë dialog, nuk e kanë këtë në mendje. Nuk kanë ndonjë interesim në dialog, thjesht kanë interes të shkatërrojnë Republikën e pavarur të Kosovës dhe atë me forcë. Askush nuk mund të mashtrohet, kjo është dëshmuar tashmë dhe do ta provojnë prapë. Kështu, Kosova është falënderuese për NATO-n për ngritjen e numrit të trupave për ta zmbrapsur Serbinë nga agresioni i radhës. Ministri i mbrojtjes i Serbisë që përgatiti sulmin paramilitar për më shumë se një vit, mori ngritje në detyrë nga Vuçiqi, tani ai është kryeministër i ri i Serbisë. Presidentja e KE-së refuzoi ta takonte për shkak të lidhjeve të tij aktive me Rusinë”, shtoi Gërvalla.
Ajo tha se duhet të flasin për rrezikun, e që disa sipas saj, kanë frikë ta përmendin, për luftën dhe si ta parandalojnë një luftë të ardhshme në Evropë.
“E nderuara presidente duhet të flasim për rrezikun që disa kanë frikë ta përmendin e duhet të flasim edhe për luftën, se si ta parandalojmë një luftë të ardhshme në Evropë, për të cilën disa thonë Putini mund ta ketë Ballkanin shënjestrën e ardhshme. Dora e zgjatur e Putinit, Vuçiqi vazhdon të mbrojë terroristët që udhëhoqën sulmin paramilitar të Serbisë kundër Republikës së Kosovës vitin e kaluar. Lideri i tyre, Radoiçiqi një prej njerëzve më brutal e më të pasur në Serbi, jo i pasur duke trashëguar nga prindërit e tij pasuri, por me anë të krimit, është angazhuar në zhvatje e vrasje të qytetarëve serb të Kosovës”, shtoi Gërvalla, derisa bëri të qartë kërkesën që ai të ekstradohet në Kosovë.
“Kosova kërkon ekstradimin e tij, ai është përgjegjës për vrasjen e zyrtarit tonë policor, heroit tonë kombëtar, toger, Afrim Bunjaku. Këtë Gjuriqi e di shumë mirë nga vitet e tij të shumta si dorë e djathtë e Vuçiqit në luftën kundër Kosovës gjatë viteve 2013-2020. Gjuriq dhe Radoiçiq vrasësi ishin aleat në shtypjen e qytetarëve serb të ndershëm që dëshironin vetëm jetë normale. Gjuriqi ishte kryesori kur Radoiçiqi u angazhua në vrasjen e politikanit më të shquar serb Oliver Ivanoviq që u vra para derës së tij. Dhe Gjuriqi takohej me të prapë, tash së voni duke pirë kafe në Beograd me të njëjtin kriminel e terrorist. E kjo tregon llojin e karaktereve me të cilët ballafaqohemi. Kush këtu është në rregull që të pihet kafe me një vrasës brutal”, tha Gërvalla derisa shpalosi edhe fotografinë e një takimi mes Gjuriqit e Radoiçiqit.
Gërvalla e ka quajtur secilën fjali të Gjuriqit në këtë seancë si gënjeshtër.
“Çfarë dëgjuam këtu sot janë aq shumë gënjeshtra sa që është e pamundur të demantojmë secilën prej tyre në këtë kohë kaq të shkurtër që jemi këtu. Shumica prej jush keni ambasada në Republikën e Kosovës që ju konfirmojnë që asnjë nga këto deklarata të Gjuriqit nuk janë të vërteta. Të jemi të qartë, të mos e besojmë asnjë gënjeshtër të tillë të çmendur që qytetarët e Kosovës nuk paskan qasje në shëndetësi, llogari bankare apo shërbime lokale. Realiteti është i qartë. Kemi shumë qytetar serb në komunat veriore të Republikës së Kosovës që na thonë me kënaqësi që përfundimisht kanë arritur të marrin frymë lirshëm pa frikë e që arrijnë të regjistrojnë fëmijët në komunë pas shumë vitesh”, tha ajo.
Gërvalla tha se në pjesën veriore të Kosovës është krijuar diçka e re, diçka e çmuar që sipas saj është normaliteti, lufta ndaj krimit, sundimi i ligjit në vend të sundimit të bandave kriminale të sponsorizuara nga Beogradi.
“Shërbime normale komunale në vend të keqpërdorimit të fondeve publike. Kemi krijuar atë që vendet tuaja demokratike me përvojë i ofrojnë për një kohë shumë të gjatë qytetarëve tuaj. Shërbim publik të përgjegjshëm e transparent. Do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët tanë e të zgjerojmë spektrin e shërbimeve që ata meritojnë të cilët nuk i kanë parë për aq shumë vite. Jo vetëm populli në Kosovë që është i ngopur me gënjeshtra të tilla, ka një arsye pse Vuçiqi po humb ndikimin mbi qytetarët serbët të Kosovës. Nëse ata nuk e besojnë propagandën e tij, askush nuk duhet ta besoj”. /RTK