Lidershipi kosovar, nuk e ka shfrytëzuar racionalisht opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në marrdhënje ndërkombëtare as në politikat kontraktuale me BE-në dhe përtej saj.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, nxiti reagimet e Serbisë për ta kundërshtuar shtetin e Kosovës
I pranuar në shpejtësi nga një shifër prej rreth 100 shtetesh, Serbia dërgoi kërkesë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,(GJND) për një opinion të shpalljes së njëanshme të pavarësisë.
Sipas Serbisë, shpallja e Pavarësisë së Kosovës shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe kjo ishte hera e parë që një shtet kërkonte deklarim publik dhe profesional nga një gjykatë kompetente, nëse një shtet që kishte shpallur pavarësinë e vet këtë e kishte bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Ishte një pritje me shumë enigma deklarimi i trupit gjyqësor prej 10 anëtarësh, në krye të të cilit qëndronte japonezi Hisashi Owada i cili më datën 22 korrik të vitit 2010, paraqiti opinionin publik se shpallja e pavarësisë së Kosovës më vitin 2008, nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Opinioni i GJND-së thoshte:
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada tha mes tjerash se:
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare .
Në relacione ndërkombëtare GJND e ka dimensionin e vet absolut të ndikimit pa marr parasysh se sa përmendet nga qeveria aktuale.
Qeveria, shumë pak kundërvihet me këtë argument”, thotë Blerim Burjani dhe shton:
“Ministrja e MPJD-së, shumë pak kundërvihet me këtë argument në takime diplomatike dhe ky është fakti mi i plotë që mund të shfrytëzohet për legjitimitet të njohjes së Kosovës nga shtetet e BE-së që ende nuk na njohin. Pra, ka defekte të mëdha në shfrytëzimin e këtij argumenti . Nëse do të shfrytëzohej ky argument sa duhet, me siguri gjendja e njohjeve të shteteve nga kontinentet tjera, do të ishte shumë më e mirë, apo të paktën pasaporta e Kosovës do të njihej nga shumë më shumë shtete”, ka thënë Eksperti juridik dhe profesori universitar Blerim Burjani.
Përkundër opinionit këshilldhënës të kësaj gjykate, Serbia nuk e pranoi pavarësinë e Kosovës dhe vazhdoi ta sfidojë botën demoraktike që mbështeti Kosovën në këtë proces.
Ekspertët juridikë kanë folur aq shumë për këtë mundësi që iu dha liderëve politikë për ta përdorur këtë opinion në procesin integrativ të shtetit , por kjo nuk u shfrytëzua sa duhet.
Avokati, Skënder Musa lidhur me mosshfrytëzimin e opinionit të GJND-së, rreth të drejtës së Pavarësisë së Kosovës ka thënë:
“Nga aspekti juridik opinioi i GJND-së i ka dhënë vulë të drejtës së Kosovës për të shpallur pavarësinë. Pas opinionit të GJND-së asnjë shtet nuk mund të thotë se Pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ky opinion si akt që ka legjitimuar pavarësinë e vendit tonë, nuk është duke u shfrytëzuar për lobim për njohjen e vendit nga shtetet që nuk e kanë njohur ende Pavarësinë e Kosovës. Qeveria e në veçanti, Ministria e Punëve të Jashtme duhet ta shfrytëzojë këtë akt të GJND-së dhe të lobojnë për më shumë njohje. Opinioni i GJND-së duhet të shfrytëzohet në të gjitha takimet, bisedimet duke përfshirë edhe dialogun e ndërmjetësuar nga përfaqësues të BE-së, sepse është akti më i rëndësishëm i drejtësisë ndërkombëtare që duke interpretuar të drejtën ndërkombëtare, në mënyrë profesionale ka vërtetuar se Pavarësia e Kosovës është shpallur në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
Këtë fakt nuk mundet ta mohojë asnjëra nga pesë vendet e BE-së, që nuk e ka njohur Kosovën, por as shtetet tjera anëtare të OKB-së”, ka deklaruar avokati Musa.
Pesë shtetet që pritnin opinionin e GJND-së për njohje të Kosovës, u rreshtuan kah Serbia
Kur Serbia dërgoi kërkesën në Hagë për denoncimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, disa nga shtetet që nuk e kishin njohur Kosovën si shtet, deklaronin se vendimin për njohjen apo jo të saj do ta ndërmerrnin pas shpalljes së opinionit të GJND-së, por shtetet si Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, këtë nuk e bënë as pas deklarimit të GJND-së.
Pesë shtetet e BE-së të cilat ishin pengesë e Kosovës në rrugën e integrimit , mbetën të tilla në raport me Kosovën, duke qenë pengesa në heqjen e vizave dhe në mostrajtimin e Kosovës si shtet brenda institucioneve të BE-së sa për donacione, aq edhe për hapje dialogu në disa rrethana të kapitujve të këtij organizmi.
Prandaj, BE nuk e trajton Kosovën si shtet përkundër faktit të opinionit të GJND-së në favor të shtetësisë së saj, pasi që pesë shtete të saj ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo mbetet sfida më problematike në rrugën e Kosovës drejt Brukselit ./S,Krivaqa.