Të mërkurën presidentja e vendit, Vjosa Osmani priti në takim liderët e partive politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve nacionale në vend, ku në takim nuk ishte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se në mungesë të Kurtit në këtë takim do të marrte pjesë, nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca i cili u refuzua nga Osmani, pasi siç deklaroi Presidentja “ky takim konsultativ është vetëm për nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë”.
Ndaj deklaratës të Osmanit erdhi reagimi nga deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili kërkoi nga presidentja që të tregojë se mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik, shkruan TelegramNews.
“Kryeministri Kurti nuk mund të jetë në dy vende njëkohësisht, andaj ai është dashur të peshojë: ta anulojë pjesëmarrjen e konfirmuar qysh para tri javësh në drekë me 21 ambasadorë, apo të shkojë aty dhe në vend të tij me partitë politike te Presidentja Osmani të shkojë nënkryetari i parë dhe kryeparlamentari Konjufca. Me të drejtë e ka përzgjedhur të dytën. Pyetja që duhet shtruar është: mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore Presidentja refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik (që është edhe Kryeministër) me nënkryetarin e parë (që është edhe Kryeparlamentar)?”, ka shkruar Rrustemi. /TelegramNews.com.