Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot kanë miratuar vendimin për ndarjen e shtesës së njëhershme prej 100 eurove për fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç dhe për pensionistët.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ekzekutimi i këtyre shtesave pritet të bëhet sot.
“Mjetet përkatëse janë ndarë në kodet përkatëse. Listat janë përgatitur në mënyrë që të provojmë gjatë ditës të bëhet edhe ekzekutimi i shtesave. Përveç pagave pritet të ekzekutohen sot, pritet të bëhet ekzekutimi edhe i shtesave për fëmijë e pensistët”, tregoi ai.
Ministri ka folur edhe rreth formularit të prezantuar për ata që nuk duan të përfitojnë këtë shumë.
“Sa i përket formularit të prezantuar ka qenë si rrjedhojë apo nevojë e kërkesave dhe ankesave. Listat janë automatike, gjithë ata që kanë përfituar nga shtesat e fëmijëve apo që përfitojnë nga skemat pensionale në mënyrë automatike gjenerohen listat. Duke qenë se ekziston kjo nevojë e gjenerimit automatik kemi dashur ta ofrojmë mundësinë që nëse do dikush vullnetarisht të tërhiqet ta ofrojmë këtë mundësi. Kanë qenë 60 aplikime të pranuara, por jo të gjitha janë përfitues ka të tilla që nuk gjenden fare në listat e aplikimeve e një pjesë tjetër po bëhen verifikimet nga komisioni. Bëhet fjalë për një numër tejet të vogël, minimal”, tha ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.