Për dekada të tëra në Kosovë ka vendosur drejtësi kanuni i Lekë Dukagjinit. Njerëzit nuk kanë pasur besim në ligjin e pushtetit, që shpesh ka vendosur kontestin në favor të të fortit.
Ka pasur e akoma ka pleqnarë që kanë gjykuar dhe gjykojnë me kanun. Sa është ai real dhe sa i përshtatet kohës së shekullit XXI, ka folur për këtë temë para disa kohësh pleqnari Smail Hyseni, që ka pleqëruar në qindra raste:
“Unë kurrë nuk kam pasur dëshirë të gjykoj me Kanunin e Lekë Dukagjinit, sepse gjithmonë jam frikësuar se po i hyj në hak ndokujt.
Gjykimi me kanun ka mbetur si pasojë e mungesës së shtetit ligjor, e i gjykatave. Kanuni ka mbuluar vakuumin ligjor dhe penal në Kosovë, gjyqin dhe institucionin e drejtësisë.
Mungesa e ligjit është zëvendësuar me të pleqëruarit e drejtësisë nga burrat nëpër oda, sepse kur nuk ka shtet, ka odë, e siç thotë populli, “kur s’ka shi, bën edhe breshër”!
Por, kanuni është i rëndë, sepse ta fik derën e shtëpisë dhe kjo më shumë ndodh në pagesën e krimit, kur dorasi paguan 60 lira gjakun!
Dënimi nuk ka kuptim ta lajë fytyrën e të dëmtuarit, as të ushqehet nga paraja e gjakut, por më shumë aplikohet si masë parandaluese e vrasjeve”!
Kështu e cilësonte kanunin pleqnari Smail Hyseni nga Jezerci i Ferizajt, 80 vjeç i cili ka pleqëruar të paktën në 14 komuna të Kosovës, i cili i shpjegonte pajtimet dhe përgjegjësitë e palëve, në rastet e aplikimit të pajtimeve me kanun.
Smail Hyseni, në dukje i qetë dhe tolerant, në odën e vet të hapur 24 orë, priste miq e të panjohur, që zakonisht trokisnin në derë për ta ftuar për ndërmjetësim e pajtim, si mision i kohës që në mjaftë shumë raste, vazhdon të funksionojë edhe sot në trojet shqiptare.
Ai është mësuar të jetë misionari gratis në pajtimet ku kursehen jetët e njerëzve dhe ku armiqësitë marrin fund për ta ndalur hovin e të keqes që vjen nga plumbi.
Por, Smail Hyseni, nuk dukej i lumtur e as i gëzuar pse ka këtë rol aq të rënës në pleqëri dhe thotë se përkundër dëshirës, nuk mund të mos u përgjigjet ftesave të nevojtarëve, të cilëve u del gjumi në çdo kohë të natës për belatë apo format e ngatërresave të ndryshme.
“Unë di se kanuni i Lekë Dukagjinit, ka mbetur si pasojë e mungesës së zbatueshmërisë së ligjeve për popullin tonë pa institucione të besueshme. Ku ka institucione kredibile, nuk ka nevojë për kanun, por duhet edhe diçka të kuptohet se ku ka Kanun, nuk ka shtet juridik.
Unë nuk kisha dashur të merrem me kanun e aq më pak të dal për të pleqëruar odë më odë dhe të mbyllem me ditë të tëra derisa ta gjej zgjidhjen e problemit.
Por, nevoja për të qenë në mision ndërmjetësimi është shumë e madhe akoma dhe sot, akoma në masë të madhe njerëzit i besojnë gjyqit të popullit dhe bindjeve se aty ku pleqërohet me Kanun, ka drejtësi”, konsideron Smail Hyseni.
Ai nuk duket i lumtur tash kur shteti i Kosovës po i forcon institucionet e drejtësisë, të cilat sipas tij ende janë të brishta, por me shumë interes për kombin dhe shtetin.
A ka ryshfet në zbatimin e kanunit?
“Kanuni harrohet atëherë kur do të ketë drejtësi institucionale, por aty ku zbatohet, nuk ka drejtësi” , thoshte Smail Hyseni, duke shtuar se “burrin e korit interesi dhe ata që marrin ryshfet pas shpine, nuk mund ta zgjasin pleqërimin.
Unë kurrë nuk kam pranuar ryshfet e asgjë që mund të quhet interes personal në ndarje të drejtësisë.
Ai që pleqëron me ryshfet, nuk i zgjat, sepse koria del në shesh.
Prej kur kam qenë 18 vjeç, kam filluar të pleqëroj dhe prej atëherë kam dalë përballë të gjithë burrave të disa gjeneratave, e që kanë pleqëruar ne oda.
Dhe, deri këtu, nuk më ka ngushtuar Zoti që ta lë pa përfunduar ndonjë rast.
Ndoshta njerëzit më kanë rënduar me fjalë , e kam marrë mbi vete shpesh edhe barrën që nuk ma ka quar shpina, por i kam hyrë punës dhe kam dalë faqebardhë.
Qofshin me nder edhe ata që ma kanë dëgjuar dhe kanë zbatuar këshillën time, sepse e kanë ditur se jam i drejtë dhe e kam për të mirën e tyre.
Kam pleqëruar aso probleme që dikujt ia kanë pëlcitur zemrën, që dikujt ia kanë derdhur përjetësisht lotin, e dikujt ia kanë shuar jetën…
Kam pleqëruar edhe aty ku ka pasur shumë pikëllim, por jam ndarë i lumtur, sepse i kam afruar njerëzit e hasmuar.
Ju nuk e dini sa është i madh gëzimi kur njeriu i pajton të hasmuarit!
Sa e këndshme është kur njeriu i pajton njerëzit mes vete!
Secili pajtim është mjaltë në vete dhe ushqim për shpirtin!
Unë kënaqem me këtë mision, sepse kush e mbyll një bela, mbyll një plagë të hapur dhe parandalon lotët dhe pikëllimet që mund të ndodhin”, thoshte Smail Hyseni.
Si merren në pyetje palët e hasmuara?
Një pamje e kuvendit të odave, në të cilat bëhet thirrja për një trajtim pajtimi të çfarëdo rasti të të ngatërruarve, bëhet vetëm në një mënyrë:
Së pari, ftohen palët e hasmuara. Ata, paraprakisht, detyrohen të propozojnë nga dy dorëzanë (garantues), të cilët do ta përcjellin besnikërisht deri në mbyllje të çdo fjale, vendimi e procesi deri në mbyllje të kontestit.
Dorëzanët nuk duhet të jenë nga gjaku i palëve. Nuk mund të jenë njerëz që përfshihen në të drejtën e pushkës për ata që hyjnë në dorëzani.
Secila palë duhet të ketë nga dy dorëzanë dhe misioni i dorëzanëve është t’i bartin dhe përcjellin obligimet dhe vendimet e pleqnarëve të kanunit.
Pasi të jenë siguruar dorëzanët, ftohen palët e kontestit në odë, të cilët i caktojnë kuvendarët dhe njëri prej kuvendarëve, caktohet ta udhëheqë kuvendin e kontestit, e ky organ është si një lloj prokurorie…
Para se t’ua jap fjalën palëve të hasmuara, ai u tregon atyre se prej këtij momenti, kur pleqtë e kanunit janë tubuar për ta zgjidhur kontestin, cilado palë që e sulmon njëra tjetrën, dënohet me kod të veçantë, duke hyrë në borxh të paparashikuar material-financiar dhe kombëtar te burrat dhe kushdo që e thyen besën i jep llogari Kuvendit të Burrave, si një organ që merr vendime.
Në këtë mënyrë, kuvendi automatikisht i vendosë nën kontroll palët, duke përjashtuar edhe përdorimin e emocioneve, pavarësisht temperamenteve dhe dëmeve që kanë pësuar gjatë hasmërisë.
Pasi të pyeten palët e hasmuara, nëse e kanë të qartë procesin që do të pasojë, udhëheqësi i Kanunit, ua jep fjalën palëve të hasmuara, duke filluar obligativisht me palën e dëmtuar të parën në deklarim ta paraqet problemin, kundrejt burrave të tubuar dhe palës tjetër dëmtuese.
Gjatë kohës sa ai e paraqet ngjarjen, askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë gjatë atij akti, pavarësisht nëse po e flet apo jo të vërtetën.
Pasi ai ta ketë përfunduar fjalën, udhëheqësi i Kuvendit të Burrave, i jep fjalën palës tjetër dhe ai do ta paraqet fjalën deri në përfundim të fakteve.
E kur të dyja palët ta kenë paraqitur fjalën e të dhënave që kanë krijuar problemin, trupi udhëheqës u jep të drejtën palëve ta thonë gjithë atë që eventualisht kanë harruar ta thonë para burrave.
Dhe, kur kjo të përfundojë, kuvendarët i detyrojnë të gjithë të pranishmit ta braktisin odën dhe të qëndrojnë në dhomat të ndara si dhe të kthehen në odë, vetëm pasi të jenë ftuar nga Kuvendi i Burrave.
Tubimin e lëshojnë edhe dorëzanët dhe vetëm në përfundim të pleqërimit trupi gjykues, i thërret palët dhe dorëzanët, të cilëve ua konfirmon vendimin.
Vendimi nuk merret me palën e pakënaqur e as me palën më të kënaqur dhe është përfundimtar për të dyja palët, konform të drejtës së kanunit për problemin e caktuar.
Nga vendimi i burrave, nuk ka kthim prapa, pa marrë parasysh nga pritjet që kanë pasur palët.
Në secilin rast, njëra palë është më e pakënaqur se pala tjetër, por vendimi mbetet valid dhe në fuqi, edhe nëse njëra palë lëshojnë fjalë apo gjuajnë fjalë në drejtim të burrave, diçka ngjashëm sikur në përfundim të seancave gjyqësore, ku pala e pakënaqur ofendon gjyqin.
Urtësia e Kuvendit të Burrave, dominon mbi këto ofendime apo arsye të palëve dhe vendimi i shpallur nënkupton përmbajtjen e secilës palë, sipas vendimit të trupit të gjykimit kuvendar.
Vendimin që marrin burrat, nuk ka mundësi ta thyej asnjëra palë, e palët pasi e marrin vendimin, më nuk ka mundësi të dalin nga vendimi i Kuvendit të Burrave.
Të pakta janë rastet kur ndahen të kënaqura të dyja palët, apo të mos reagojë njëra palë.
Ka momente kur pala e pakënaqur na thotë se s’paskeni bërë asgjë, e mund të ketë edhe nënçmime, por burrat zakonisht përmbahen, sepse e dinë që dënimi është i rëndë, e ndokujt mund t’i lihet sofra me krip, apo edhe pa të, por ne shkojmë në synimin që hasmëria të mbyllet dhe faktori njeri te ruhet, kurse ana materiale shkon e vjen.
Ne synojmë të mbyllim çdo hasmëri që mund të sjell gjak të ri dhe situata të rënduara”, thotë Hsyeni.
Përballë burrave të mëdhenj në pleqërim
Smail Hyseni nga Jezerci, ishte njohës i mirë i Kanunit të Kosovës dhe thotë se ka ndarë drejtësi përballë burrave eminentë në oda si Mulla Ademi, Tahir Maliqi, Mulla Hamiti në Jezerc, Osman Mehmeti, Bajrush Sahiti dhe shumë të tjerë.
Smail Hyseni, di edhe për ndryshime sociale të ngatërresave, duke i dalluar ato në kohë para lufte dhe pas lufte.
Para lufte, sipas tij, kishte ngatërresa gjaku, ndërsa pas lufte, kryesisht, bëhet fjalë për probleme të bashkëshortësive dhe femrave, që ai i përshkuan si “krizë e moralit shoqëror”.
“Para lufte ka pasur më shumë pleqërime në aspektin e pajtimit të gjaqeve e pas lufte problemet e ndarjeve ku viktima janë fëmijët dhe familja, sepse vendi po hyn në shoqërinë e krizave morale për shkak të jetës së shfrenuar.
Të pleqërosh me Kanun, nuk mund të gjykosh vetëm me të dëgjuar, por kërkohet të kesh tru të zhvilluar, sepse prek në shumë probleme të familjes. Duhesh pasur parasysh shumë rrethana, analiza, shumë kujdes në çka po prek dhe çfarë pakënaqësi krijon gjatë procesit të pajtimit kur të hasmuarit gjatë hasmërisë, ende mendojnë kundër njëri-tjetrit.
Kam dalë me qindra raste përballë burrave të mençur të kohës si Raif Smallusha me burra në Gumnasellë, e nuk ka qenë e lehtë të ndash drejtësi përballë tyre. Kam pleqëruar edhe në Llap e në 14 komuna të Kosovës dhe kam dalë me qindra burra në pleqërim e nuk jam korit askund sepse e kam bërë punën veç për hatër të Zotit, e jo për interesa.
Kudo që kam pleqëruar, është interesante se fëmijët e pleqnarëve e kanë vazhduar traditën. Edhe në kohën e pajtimit të gjaqeve kam marrë pjesë”, thotë ai.
Pajtimet para lufte
Smail Hyseni duke treguar pajtimet para lufte thoshte se “pak ka vende ku të dy palët mbeten të kënaqura me procesin e pajtimit, por ka raste që të dyja palët kanë mbetur të pakënaqura me pajtimin. Unë ndoshta nuk kam pasur më shumë dije, por më ka ecur puna, pasi kam qenë i bindur se rahmeti është fryt i drejtësisë, prandaj kurrë s’më ka ngecur puna.
Ka disa lloj ngatërresash nëpër disa vende të ndryshme ku njerëzit dhe pleqnarët, nuk mund të kryejnë punë, për shkak të çasjeve të gabuara të cilat janë pjesë e karakterit dhe mentalitetit të asaj përkatësie lokale me nuanca të ndryshme psikologjike.
Pleqnari duhet ta analizojë gjendjen para se të shkojë në një pajtim, sikur gjyqtari qe duhet ta ketë mësuar materien e një lënde para se ta gjykojë atë.
Arma më e fortë e pleqërimit është kur analizon psikologjinë e të dy palëve, që është arma më e fortë që thyen drynin e temës, sepse dikund as që të lënë ta hapësh temën, kur ke çasje të gabuar në karakterin e palëve.
Pajtimet e gjaqeve të vogla që i kam bërë unë, janë me qindra e këso të vogla nuk mund t’i numëroj”, thotë ai.
Thyerja e besës me Kanun brenda pajtimit
Thyerja e besës brenda kohës së pajtimit me Kanun, është tepër e rëndë. Pala që shkel besën, dënohet pamëshirshëm.
“Po e theu dikush besën, ose fjalën e burrit brenda pajtimit, ligji i Kanunit sikur ai juridik, e rëndon shumë fajtorin.
Në Kanun, besën nuk guxon ta shkel askush, e mua përsonalisht, nuk më ka ndodhur kurrë kjo. Kemi ndenjur në oda me nga dy e tri ditë, derisa i kemi pajtuar njerëzit të falin dhe të pajtohen dhe kemi qëndruar me ditë të tëra nëpër do raste, duke mos lëshuar pe nga qëllimi human.
Suksesi gjithnjë varet, nëse pajtimi s’ka hile. Kur e ke për riza të Zotit, shihet çdo gjë dhe aty e ka pleqnari më të lehtë ta arrij qëllimin, e nëse je me hile në pajtim. Krijon shumë probleme dhe e humbë respektin e palëve.
Më kujtohet shkova në një dimër të pajtoj një gjak në një familje. Kisha qenë disa herë dhe familja që kishte pësuar as që donte të na shihte brenda. Shkuam sa e sa herë, por as nuk na morën në dorë. Dhe, erdhi rendi të shkoja një dimri të ftohtë, e t’i bie në derë të dëmtuarit. Deshi Zoti dhe u rrëzova para derës së oborrit të tij dhe e lëndova shumë hundën, sa u gjakosa krejt. Nuk u bëra aspak nevrik, sepse e dija që kisha shkuar për një mision human dhe shumë të nevojshëm.
Doli i zoti i shtëpisë dhe i thashë:
“Jam lënduar goxha rëndë, por nuk më dhimbset gjaku im që po më shkon për fytyre e as koha që po e humbi për ju, sepse kam ardhur për riza të Zotit të pajtoheni dhe ta lironi njëri-tjetrin, sepse jemi të gjithë vëllezër dhe nuk ka njeri pa gabime.
Ai ma hapi derën e shtëpisë dhe u tubuan të gjithë. I zoti i shtëpisë i porositi meshkujt e vet ta zgjidhnin problemin dhe pas shumë debatesh ma falën gjakun.
Nuk e ndjeva plagën në këtë kënaqësi që ndodhi”, thotë ai .
Smail Hysenin e ka ndjekur dhe përcjellë pushteti i regjimit serb në Kosovë në ish -Jugosllavi, sepse ata donin që shqiptarët të vriteshin mes vetes sa më shumë dhe kështu ata të kishin vetë probleme sa më pak./Telegram News