Vizita e shefit të CIA’s, William Burns, dy muaj më parë u rikthye serish sot në vëmendje të mediave ndërkombëtare.
Siç shkruan sot agjencia e lajmeve Reuters, shefi i CIA’s i cili erdhi në Kosovë në kohën kur po flitej për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, citohet t’ia ketë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se janë të vendosur që kjo urë të mos hapet në mënyrë të njëanshme.
Burime të kësaj agjencise thanë se edhe ky i kishte kërkuar Kurtit kujdes me këtë çështje.
Po ashtu, edhe nga NATO i kanë thënë kësaj agjencie lajmesh se janë kundër hapjes së njëanshme të urës.
“Jemi shumë të vendosur kundër një veprimi të njëanshëm për të hapur urën”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për Reuters.
“Nuk duam të nxisim ndonjë lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it”.
Kurti ndërkaq ka thënë se rihapja e urës do të bashkojë një komunitet të ndarë.
Në një intervistë ai tha se Beogradi dëshironte ta mbante urën të mbyllur për të ndarë veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.
“Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Kurti .
Pas shumë paralajmërimeve për hapjen e Urës por edhe vërejtjet e faktorit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka kohë që nuk e ka përmendur hapjen e urës.