Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Skender Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të bëjë ndryshime të thella në politikat fiskale, sidomos në sektorin e prodhimit dhe tregtisë, për të nxitur rritjen e prodhimit vendor dhe eksportit.
Sipas tij, mungon bashkëpunimi i Qeverisë me bizneset, ka theksuar se mungesa e ndryshimeve fiskale ka penguar rritjen ekonomike të vendit, ndërsa vendet tjera kanë ndërmarrë masa të rëndësishme për të stimuluar ekonominë e tyre në këtë periudhë të vështirë globale.
Ai vuri në dukje se ndërhyrjet të shteteve për të mbështetur ekonomitë e tyre dhe qytetarët kanë rezultuar me më pak humbje për bizneset dhe përballimin më të lehtë të situatës nga ana e qytetarëve, një situatë kjo që nuk po ndodh në Kosovë.
Në këtë drejtim, Krasniqi ka thënë se shteti duhet t’i dalë në ndihmë familjeve në mënyrë që të tejkalojnë më lehtë edhe rritjen e çmimeve, e po ashtu edhe të krijojë oferta reale për investimet e huaja e po ashtu edhe për turistët.
“Ne si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë, jemi duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të ketë ndryshime rrënjësore të politikave fiskale, sidomos në aspektin e prodhimit, qoftë në bujqësi, tregti, në mënyrë që të kemi rritje të prodhimit vendor dhe të eksportit. Mosndryshimi i politikave fiskale ka ndikuar që mos të ketë rritje të prodhimit vendor, dhe mos rritje të eksportit tonë, sepse vendet tjera kanë bërë gjatë kësaj kohe ndryshim jashtëzakonisht të mëdha të politikave për nxitjen e prodhimit dhe rritjen e eksportit. Çfarë ka ndikuar pozitivisht tek vendet tjera edhe pse jemi në një situatë të rëndë globale si rezultat i luftërave, krizave të përgjithshme, shtetet tjera janë duke ndikuar me injeksione në ekonomi dhe tek qytetarët që të kemi sa më pak humbje tek bizneset, por edhe qytetarët ta përballojnë situatën, një gjë e tillë nuk po ndodhë në Kosovë, as tek bizneset dhe qytetaret”, thotë Krasniqi.
Ai derisa thotë se qeveria duhet të jetë më bashkëpunuese me bizneset, thotë se duhet të zvogëlohet TVSh-ja në mënyrë që të nxitet ardhja e turisteve, siç po ndodhë me vendet e rajonit.
“Po vazhdojmë të jemi i vetmi vend që të mos kemi një ofertë reale për investimet e jashtme. Kemi pas ofertë që ka zgjat tre vjet, që fatkeqësisht nuk është vazhduar, pavarësisht që nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar, ajo do duhej të vazhdojë dhe të përmirësohej ndërkohë. Kemi rreth tre vjet që nuk kemi vazhdim të ofertës dhe nuk kemi ofertë reale që po ndikon që investitorët e huaj, por edhe disa nga bizneset tona të shkojnë në rajon, të investojnë si rezultat i ofertave shumë tërheqëse që po i bëjnë vendet tjera krahasim me ne. Sikur qeveria të ketë bashkëpunim më të mirë me sektorin privat, sikur politikat fiskale të ndryshojnë siç janë ndryshuar në vendet tjera, do të kishte rritje tjera. TVSh ishte për një vit 8 për qind, ne kemi kërkuar që të zvogëlohet 5 për qind në turizëm TVSh-ja, në mënyrë që të nxitet ardhja e turisteve, sepse kemi një fluks të madh të turisteve në vendet në rajon, dhe ata do të kishin mundësinë me oferta më të mira të vinë në Kosovë. Pavarësisht kërkesave tona, këto nuk janë marrë parasysh dhe TVSh-ja është rikthyer në 18 për qind dhe e kemi këtë gjendje”,thotë Krasniqi.
Duke folur për sfidat e bizneseve, ai thotë se këtu mungon jashtëzakonisht shumë përkrahja e shtetit,
“Ankesat më të mëdha janë të mospërkrahja e bizneseve nga ana e shtetit, mos ndërhyrja në politika si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme që kemi pas COVID-in, dhe ndërhyrja e qeverisë ka qenë ekstrem e vogël në krahasim me nevojën që ka pas biznesi dhe vendet tjera që kanë pasur përkrahje shumë më shumë. Do duhej përkrahje tek bizneset, qoftë me kamata të ulëta, me përkrahje të biznesit në bazë të shumes së investimit që bëhet, shumë metoda që i ka qeveria dhe i kanë vendosur vendet e tjera për t’i përkrahur bizneset, do duhej që politikat tjera që i kanë implementuar vendet tjera të implementohen edhe tek ne”,thotë Krasniqi.
Ndërkaq, sa i përket zhvillimit ekonomik, ai thotë se në këtë drejtim, do duhej të bëhet një agjencion kombëtar në mënyrë që të krijohet një strategji më e mirë sa i përket promovimit të Kosovës.
“Natyrisht që do duhej të bëhet një agjencion kombëtar, por do duhej të jetë edhe një Ministri e Turizmit në mënyrë që të ketë edhe një staf tjetër, kemi në departamentin e turizmit një staf simbolik, kemi vetëm deklarata publike, por nuk kemi strategji reale si të nxitet turizmi vendor, qoftë në qytete, male që i kemi të mrekullueshme, si të krijojmë oferta konkrete për krijimin e vendeve tërheqëse, d.m.th. në investime, në mënyrë që të kemi rritje më të madhe, sepse ka kërkesa dhe nevojë të kemi rritje të turizmit më të madh”, thotë Krasniqi.
Në mënyrë që të mos ikin kuadrat e kualifikuar, Krasniqi konsideron se “dora e shtetit” do duhej të ndjehej me shumë tek të njëjtit, në të kundërtën kjo ikje do të jetë shqetësuese për vendin.
“Ajo që do duhej në Kosovë me emergjencë është që shteti të mbrojë qytetarin, punëtorin dhe biznesin. Mbrojtja e punëtorit është përkrahje edhe për biznesin, që të mos ikin kuadrat e kualifikuara si rezultat i mungesës së mbrojtjes së familjes nga ana e shtetit. Nevoja për sigurim shëndetësor, sigurim në punë, dhe mbrojtje të familjes është ekstrem e madhe si bazë reale për përkrahej të qytetarit. Kërkesë e jona ka qenë që prodhimi vendor të përkrahet në 10 për qind në dyqane, blerje, dhe të subvencionohet 10 për qind eksporti siç e bëjnë vendet tjera. Sikur të ndodhnin këto të kishim rritje enorme të prodhimit dhe eksportit. Turizmi të nxitet me TVSh”, thotë Krasniqi./KP