Njohësit e çështjeve ekonomike në vend po vlerësojnë se buxheti i propozuar nga Qeveria në vlerën e 3.6 miliardë euro për vitin 2025, është më shumë për mbijetesë se sa për zhvillim ekonomik.
Ata kanë thënë se baza kryesore e këtij buxheti është orientuar në mbrojtje dhe siguri dhe në aspektin social dhe jo i orientuar në investimin e krijimit të zonave ekonomike e as në krijimin e investimeve kapitale.
Profesori universitar i ekonomisë, Medain Hashani, ka thënë se buxheti prej 3.6 miliardë eurosh i promovuar nga qeveria nuk është realist, pasi të hyrat reale arrijnë vetëm në 3.3 miliardë euro, duke krijuar një boshllëk prej 300 milionë eurosh.
Hashani kritikoi përqendrimin e buxhetit në projekte të cilat, sipas tij, do të mbeten “fontanë dëshirash” për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme dhe planeve konkrete për realizimin e tyre.
“Në bazë të kësaj qeverisje që deri tani ka udhëheqë me Kosovën është një buxhet që nuk është i përcaktuar në asnjë prioritet të zhvillimit ekonomik, ne nuk kemi prioritete të caktuara të cilat mundemi t’i konstatojmë se a do të ketë zhvillim apo nuk do të ketë zhvillim. Arsyeja qëndron se shumica janë duke e promovuar si buxhet prej 3.6 miliardë mirëpo në aspektin e të hyrave janë 3.3 miliardë, pra nuk janë të planifikuara 3.6 miliardë. Të gjitha të hyrat që janë të cilat janë në Ligjin e Buxhetit janë 3.3 miliardë dhe kemi një diferencë prej 300 milionëve që nuk janë të realizueshme”, tha Hashani.
Hashani theksoi se është një listë e projekteve të cilat kanë mbetur ende si “fontanë dëshirash”.
“Nëse hyjmë nga struktura e buxhetit arsyeja pse nuk mund të themi se është zhvillimor kemi një listë të madhe të projekteve të cilat janë të integruara në kuadër të këtij buxheti, mirëpo nëse po e marrim shembull një projekt i cili kushton prej 8 milionë euro në vitin 2025 janë të ndara d.m.th ka hyrë vetëm si kod buxhetor dhe janë hyrë p.sh 500 mijë, ndërsa në vitin 2026 kanë hyrë 3 milionë e gjysmë dhe në vitin 2027, 4 milionë, kështu që për t’u inicuar edhe në bazë të ligjit të prokurimit nuk mund të tenderohet dhe nuk mund të iniciohet pjesa e procedurave të prokurimit pa e pasur zotimin e mjeteve dhe mbi bazën e kësaj ne mund të themi se vetëm është një listë e projekteve të cilat kanë me mbete si ‘fontanë dëshirash’ por nuk kanë me u realizua në bazë të këtij buxheti”, ka thënë ai.
Profesori Hashani vuri theksin te nevoja për politika fiskale më të favorshme dhe stimuj për investitorët e huaj, duke nënvizuar se Kosova duhet të fokusohet në krijimin e zonave ekonomike për të nxitur punësimin dhe zhvillimin.
“Buxheti i ndarë në vitin 2025 është shumë i vogël d.m.th të gjitha pjesët tjera janë të shpërndara të kostos së planifikuar në vitin 2026-2027 prandaj nuk mund të themi se kemi një buxhet zhvillimor, pra është një buxhet i cili në një farë mënyre nuk të jep shpresë edhe është me të vërtetë i parealizueshëm në atë që është planifikuar sepse politikat fiskale të njëjta, mos ndryshimet e politikave tatimore, mos stimulimi i investitorëve të huaj, janë pengesa të cilat munden me shkaktu zhvillim në Kosovë”, tha Hashani.
Sipas tij buxheti do duhej të orientohej në krijimin e investimeve kapitale në ndërtimin e zonave ekonomike.
“Prandaj unë kisha me qenë shumë i lumtur sikur ky buxhet do të kshte orientuar investimin në krijimin e zonave ekonomike, në krijimin e investimeve kapitale në ndërtimin e zonave ekonomike, në krijimin e kushteve dhe ndryshimin e politikave tatimore për investitorë të huaj, sepse të gjitha këto investime të cilat vijnë, krijojnë një zhvillim ekonomik dhe zvogëlojnë papunësinë ku në bazë të raportit të bankës botërore thuhet se 67% e të aftëve për punë janë të papunësuar dhe kjo statistikë është me të vërtetë shqetësuese për qeverinë. Kryesisht ky buxhet i vitit 2025 kam pritur që do të orientohet nga ekonomia, mirëpo po ndodh e kundërta, që buxheti orientohet nga pjesa e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në ministri të tjera në investimet të cilat kanë do të mbesin suficit siç kanë mbetur edhe në vitet paraprake”, tha ai
E ish-kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi se Kosova ka buxhetin më të ulët në rajon, madje edhe më të ulët se Mali i Zi, një vend me 500 mijë banorë.
Ai kritikoi politizimin e debatit për buxhetin, duke vëntë në dukje se shpesh projektet kapitale mbeten të pazbatuara dhe fondet e planifikuara mbartën në vitet pasuese.
Gërxhaliu paralajmëroi se mungesa e dialogut të mirëfilltë me sektorin privat dhe politikat e pandryshuara tatimore do të pengojnë zhvillimin ekonomik.
“Besoj që debatet të cilat janë duke u zhvilluar kohëve të fundit sa i përket buxhetit vërtet janë shqetësuese nuk kanë analizë dhe janë shumë më tepër të orientuara dhe të dokumentuara nga një dimension politik në rend të dytë është shqetësuese që askush nuk e thekson një realitet të hidhur që në qoftë se analizohen gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova e ka buxhetin më të ulët që është më keq, e ka edhe më të ulët se Mali i Zi i cili i ka vetëm 500 mijë banorë”, u shpreh Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, ndarja e një pjesë të konsiderueshme për mbrojtje dhe siguri, tregon se nuk mund të quhet buxhet zhvillimor. Kritika ka edhe për bartje të mjeteve nga viti në vit.
“Vetë fakti që baza kryesore e këtij buxheti do të jetë e orientuar në mbrojtje dhe siguri dhe në aspektin social besoj që është një dimension i dytë që e demanton atë pompozitetin e promovimit si një buxhet zhvillimor dhe ky duhet të jetë një fakt tjetër që në vitin 2024 kanë pasur shumë më tepër bartje të parave që kanë qenë të destinuara për investime kapitale dhe nuk janë investuar, e dëshmon më së miri realitetin e hidhur të krijuar në Kosovë me 800 milionë investime të parapara është e pamundur të zhvillohet ekonomia kosovare dhe ajo çka duhet të shqetësohemi të gjithë së bashku është mungesa e dialogut të mirëfilltë një ivolvim i sektorit privat”, u shpreh ai, teksa shprehet optimist se buxheti pas zgjedhjeve do të rishikohet.
Gërxhaliu tha se duhet partneritet i mirëfilltë me sektorin privatka kërkuar të mos përsëritet avazi i të kaluarës ku sektori privat ka qenë i penalizuar.
“… fakti tjetër që çfarëdo që të votohet këto ditë në Parlament dhe sa i përket votimit final për buxhet, buxheti në aspektin kohor do të përjetoj rishikim pas zgjedhjeve të 9 shkurtit sepse do të ketë ndoshta koalicione të reja do të ketë fitues të ri sidoqoftë do të jetë më se i nevojshëm për një rishikim, për një ridizajnim dhe një rikalkulim të buxhetit të paraparë dhe në fund të fundit shumë kush në Kosovë mendon që projeksioni buxhetor prej 3 miliardë e 600 milionë euro janë para të gatshme ato. Vërtet duhet të kuptohet që për të arritur këtë objektiv duhet punë, duhet performancë, duhet disiplinë mbi të gjitha duhet partneritet i mirëfilltë me sektorin privat dhe nëse do të përsëritet avazi i të kaluarës ku sektori privat ka qenë i penalizuar apo nga mungesa e projekteve kapitale, vërtet është diçka që nuk i bënë nder zhvillimit Ekonomik të Kosovës”, deklaroi Gërxhaliu.
Kuvendi i Kosovës e nxori buxhet në lexim të parë më 11 nëntor dhe e kaloi me 59 vota për, dy abstenime dhe asnjë kundër.
Gjatë prezantimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se projektbuxheti është “historik” dhe duke e krahasuar me atë të vitit 2020, ai tha se vlera e tij është rritur për 60 për qind./EO