Shqetësimit të SHBA-së, BE-së e Gjermanisë për moscertifikimin e Listës Srpska nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit i është bashkuar edhe ambasada italiane në Kosovë.
Në një reagim në X, ambasada e Italisë thotë se KQZ është institucioni jetik që është përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave politike të qytetarëve të Kosovës.
“Shprehim shqetësimin për vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska për zgjedhjet e ardhshme. Besojmë se sundimi i ligjit do ta udhëheqë këtë institucion jetik, i cili është përgjegjës për të mbrojtur të drejtat politike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ambasada.
Lista Srpska nuk u certifikua pasi përfaqësuesit e Vetëvendosjes votuan kundër me arsyetimin se kjo parti nuk i referohet Kosovës me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.