Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po e trajton kryeqytetit si të sajin. Rama ka akuzuar nivelin qendror për pengim të disa projekteve madhore, siç është Unaza e Kryeqytetit dhe ndërtimi i rrugës “Agim Ramadani”.
Ai, tutje ka theksuar se edhe projektit të ish-objektit “Gërmia”, ku është planifikuar të ndërtohen salla koncentrale dhe muzeu, i janë pamundësuar punimet si shkak i masave të BE-së ndaj Kosovës, ku si pasoj shuma e destinuar prej 20 milionë eurosh është bllokuar.
Ai ka thënë se dhjetëra prej tyre tashmë janë publikuar dhe kanë filluar, ndërsa edhe për vonesat në fillimin e disa projekteve, ai e ka akuzuar nivelin qendror.
Për projektin e “Tregut të Gjelbër”, i publikuar vitin e kaluar në vlerë 5.7 milionë euro, Rama ka thënë se do të fillojë këtë vit dhe se kanë dy mundësi për të.
“Projekti i Tregut të Gjelbër është i përfunduar edhe i kemi dy procese tash në tavolinë. Ne e kemi përcaktuar një fond i cili e përmbush mundësinë për ta zhvilluar fazën e parë, mirëpo kur e kemi bërë konferencën për investitorë, në janar të këtij viti, e kemi paraqitur edhe tregun si një investim potencial, kështu që kemi pasur disa investitorë që janë të interesuar bashkë për investim. Pra, komuna me tokë, ata me investim. Edhe këtë do ta shtyjmë përpara. E kemi në proces për me ngritë në asamble, për me dërgua si bashkë-investimin edhe kjo do të ndodhë menjëherë sivjet, do të fillojë në njërën apo tjetrën anë. Pra, i kemi edhe fondet e buxhetuara, por e kemi edhe mundësinë që ta kryejmë të gjithë investimin prej 5.7 milion nga sektori privat. Ne si kryeqytet vetëm se i kemi ndarë 1.2 milionë që ta kryejmë fazën e brendshme. Njëra apo tjetra do të fillojë sivjet”, ka thënë ai.
Kryetari i Prishtinës ka thënë se projekti madhor i ndërtimit të rrugës “Agim Ramadani”, edhe pse është tenderuar, është ndalur nga institucionet e nivelit qendror me arsyetimin se në atë pjesë mund të ketë gjetje parahistorike, ku kjo sipas tij, kjo është një bllokadë politike.
“Kemi shumë projekte që janë publikuar dhe shumë kanë filluar. Kemi një numër të madh të projekteve që i sheh nëpër të gjitha pikat e kryeqytetit. Mirëpo, projekte madhore, ato vetëm se i kemi tenderuar, kemi tenderuar rrugën ‘Agim Ramadani’. Projektet e mëdha kërkojnë një dizajnim. Rruga ‘Agim Ramadani’, që është madhore për kryeqytet, ka dalë në tender, për momentin është e bllokuar nga Instituti për Mbrojtje të Monumenteve, për arsye që supozohet që mund të ketë gjetje parahistorike. Është pak abstrakte arsyeja pse na ka ndalur procesin, është i gjithi i gatshëm, mundet me fillu menjëherë, mirëpo tash po ballafaqohemi me institucione qendror për me shty çështjen përpara. Nëse ka aty gjetje parahistorike ne duhet të fillojmë gërmimin, por nuk mund të themi që nuk mund të fillojmë projektin për arsye se mund të ketë gjetje parahistorike. Zona nuk është e mbrojtur në aspektin arkeologjik, nuk ka arsye që të na ndalin aty, mendoj që është vetëm çështje, bllokadë politike, asgjë tjetër”, ka thënë ai.
Rama ka theksuar se projekti madhor i ish-objektit Gërmia, ku do të ndërtohen salla koncentrale dhe muzeu, i janë pamundësuar punimet si shkak i masave të BE-së ndaj Kosovës, ku një shumë prej 20 milionë eurosh ka qenë e destinuar nga BE-ja për këtë projekt. Por sipas tij, komuna nuk është ndalur dhe ka ndarë një fond prej 2 milionë eurosh që të shtyjë përpara projektin e muzeut, ndërsa për pjesën tjetër janë duke pritur deri sa vendit t’i largohen masat nga BE-ja.
“Tenderin për rrugën ‘Xhorxh Bush’ e kemi hapur. Tenderin për platformën e cila e ndërlidh Arbërinë me Pallatin, po ashtu e kemi hapur. Unaza e Brendshme tash jemi në përfundim e sipër, Rruga A po vazhdon me intensitet të lartë. Rruga B po vazhdon me intensitet të lartë. Të dyja deri në fund të këtij viti do të lidhen njëra me tjetrën, që do të jetë një ndihmesë super e madhe për kryeqytet. Gërminë, salla koncertale edhe muzeu i artit e dini që projektin e kemi të gatshëm për me fillu të gjithën. I kemi pasur fondet nga komuniteti evropian të ndara, prej 15 deri në 20 milionë, mirëpo për arsye që vendi ynë është në sanksione apo nën masa tash nuk i kemi. Ne nuk jemi ndalur, fondet të cilat ne i kemi ndarë si kryeqytet i kemi shty përpara dhe tash vetëm se kemi hapur një pjesë ku aty ish-shtëpia e mallrave kemi ekspozitën e cila e tregon historinë nëpër të cilën ka kaluar shoqëria jonë. E kemi edhe një fond prej 2 milionësh që do ta shtyjmë përpara që ta transferojmë të gjithë këtë pjesën ekzistuese që muzën me fondet tona ta funksionalizojmë deri sa vendi ynë të del nga masat që pastaj mundemi me vazhdua edhe me sallën koncertale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se qeveria është duke refuzuar që të investojë edhe në Unazën e Kryeqytetit, dhe se këtë komunë nuk është duke e trajtuar si të vetën. Rama ka theksuar se në shtator dy kompani nga Zvicra do të prezantojnë në Prishtinë projekte të tyre prej miliarda euro, që do të investohet në zonën e Stacionit të Autobusëve.
“E kemi Tulltoren, projekti tani vetëm se po përfundon, po ashtu kemi edhe në mbledhjen e radhës të Asamblenë propozimin për bashkë-investim me sektorin privat që janë të gatshëm që të futen edhe të investojnë 20 milionë, ta transformojnë këtë hapësirë. Kemi edhe kompani nga Zvicra, dy kompani të mëdha që do të prezantojnë në shtator projekte bilionëshe, në zonën te Stacioni i Autobusëve, ku ne e kërkojmë që të na ndërtojnë Stacionin e Autobusëve, kërkojmë që me bashkë-investim që të na ndërtojnë edhe Unazën e Kryeqytetit, pasi qeveria po refuzon të investojë. Dëshiron të investojë jashtë Prishtinës por jo në Prishtinë, nuk e trajton Prishtinë si të veten, por për fat të keq si me qenë ne në një shtet tjetër. Mirëpo, kjo nuk do të na ndalë. Kemi Fshatin Sportiv, i cili me bashkë-investim do të zhvillohet. Kemi numër të madh të projekteve që janë duke ndodhur paralelisht”, ka thënë Rama. /EO