Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën për shtyp pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka thënë se Shqipëria është një vend që zgjohet dorë për dore me BE-në dhe SHBA-në.
Ai është shprehur se shqiptarët unanimisht kanë vendosur që t’i përkasë Bashkimit Evropian dhe sipas tij, nuk ka asnjë rrugë tjetër.
“Lajmi i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët jo sot po prej kohësh është që Shqipëria nuk është një ishull i shkëputur nga bota dhe nuk është as një vend në këtë kontinent që ka bërë ndonjë zgjedhje që ia lejon të qëndrojë dhe me kurriz nga Evropa”.
“Shqipëria është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ecën çdo ditë krahë për krahë me aleatët e vet strategjikë dhe në fund të ditës dëgjon vlerësimet e tyre merr rekomandimet e tyre dhe të nesërmen rizgjohet për të vazhduar të ecë, sepse Shqipëria, për faktin se shqiptarët unanimisht kanë vendosur përfundimisht që t’i përkasë Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë rrugë tjetër”.
Më tej, Rama foli edhe për politikën e brendshme për të cilët tha se nëse ka opinione të caktuara, mbetet pjesë e të jetuarit në një vend të lirë.
“Nëse të interesuarit në politikën e brendshme kanë opinione të caktuara, kjo është pjesë e të jetuarit në një vend të lirë, por nëse opinione të caktuara vënë në pikëpyetje reformat dhe rezultatet e tyre të cilat dhe për shkak të të cilave ne i ulëm në tryezë me Bashkimin Evropian, atëherë problemi nuk është as i imi, as i shqiptarëve, as i Bashkimit Evropian dhe i asnjë partneri tjetër, kështuqë Shqipëria patjetër që ka akoma shumë male për të kapërcyer, derisa të arrijë në majën më të lartë që është maja e anëtarësimit, në duam ta arrijmë atë majë brenda kësaj dekade, që do të thotë në duam që brenda kësaj dekade të jemi gati”, është shprehur Rama.