Më në fund Qeveria Kurti i ka mbyllur llogaritë propagandistiko-paraelektorale me urën mbi Ibër.
Dorëzimin e ka bërë publik deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Haliti në emisionin “Debat Plus”, ku tha se “Qeveria ka vendosur t’iu japë kohë aleatëve ndërkombëtarë të vendosin se kur është koha e duhur për hapen e urës”.
Qeveria Kurti po mundohet ta arsyetojë dorëzimin duke treguar hatër ndaj Presidentes e cila ka përmendu fundin e këtij viti si kohë të mjaftueshme për hapjen e urës në koordinim me aleatët.
Deklaratat e Kryeministrit Kurti dhe të zëvendës Kryeministres Donika Gërvalla e të vartësve të Kurtit si Dimal Basha dhe të kabinetit të kryeministrit, në vazhdimësi kanë luajtur me fjalët populiste duke mos qenë koshientë për pasojat politizuese për hapjen e urës së Ibrit.
Sipas Halitit të LVV-së, “hapja e urës së Ibrit, nuk duhet të politizohet”.
Politizimi i hapjes së urës së Ibrit nga Qeveria Kurti që është cilësuar si propagandë elektorale, ka ndryshuar gjendjen e sigurisë në Kosovën veriore, ku KFOR-i është betonuar mbi urë, duke reaguar me urdhër dëbim të patrullave të Policisë së Kosovës nga ura , para pak ditësh.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj në një ironizim të Qeverisë Kurti ka shprehur gatishmërinë ta mbështet Qeverinë Kurti në hapjen e Urës duke i thënë, “Vetëm hapeni urën, mua më keni aty ”.
Përkeqësimi i gjendjes andej lumit Ibër që ka filluar me propagandën parazgjedhore të Kurtit, po përshkohet me akuza propagandistike në Beograd e Moskë duke përçuar në botë mesazhe kundër shtetit të Kosovës dhe spastrim etnik të serbëve, me çka Serbia po mundohet ta amortizojë para BE-së sulmin terrorist të Banjskës, pak ditë pa u mbushur një vit.
Ish shefi i BIA-s Aleksandar Vulini, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, ka marrë rolin e zëdhënësit të Kremlinit duke përcjellë veprimet e Qeverisë Kurti në veri, me çka Moska këto ditë ka instaluar fushatën më të egër kundër Kosovës, për dëbimin e serbëve nga Kosova.
Presidenti i Serbisë Vuçiq, pritet që më së largu deri të shtunën në mbrëmje ta shpall Kosovën vend të pushtuar nga NATO si tokë të Serbisë, në mënyrë që ta arsyetojë sulmin e grupit terrorist në Banjskë të strukturuar nga serbët e Kosovës.
Xhavit Haliti i PDK-së ka deklaruar të enjten se në Rashkë të Serbisë Vuçiq ka filluar ndërtimin e shtëpive për personat e grupit të Banjskës në krye me Millan Radoiçqi.
Deputeti i AAK-së Lekaj pas zmbrapsjes së Kurtit ka pyetur:
“ Pse Kurti nuk e hap urën tash? Çfarë matje është ajo nëse ka forcë ura me i mbajte dy kamionë? Ky është mashtrim për qytetarët. Unë i them Kurtit hape urën e nesër aty më ka” ka thënë Lekaj ./Telegram News