Përdorimi i narkotikëve në Kosovë vjen edhe përmes qasjeve të lehta te individët, apo grupet e posedueseve të këtyre materieve helmuese .
Brezi i ri bëhet caku më i shpeshtë i viktimizimit të kësaj dukurie.
Burime të sigurta në psikiatri, thonë se numri i përdorueseve të materieve narkotike, është në rritje ndërsa drejtori Faton Kutllovci e kishte thënë në një rast se në pjesën e kësaj hapësire, trajtohen edhe të rinj nëntë vjeç, që është tepër shqetësues për të gjithë.
“Fatkeqësisht viteve të fundit, po rritet numri i përdoruesve e po ulet mosha e tyre. Kemi fëmijë 9-10 vjeç që vijnë pas përdorimit të substancave narkotike”, ka thënë drejtori, duke dashur të tërheqë vërejtjen për një dukuri që veç ka prekur shoqërinë tonë e që nuk ka qenë e pranishme më herët në shoqëri.
Kutllovci , në një analizë të tij rreth faktorëve që e bëjnë të pranishme këtë dukuri në shoqërinë tonë ka përmendur edhe qasjen e lehtë te narkotikët.
Ai ka spikatur se dëshira e brezit të ri për të qenë një njeri me ndikim në rrethin e shoqërisë, luan rolin e parë në gabimet e këtij brezi në devijime të hershme.
Kutllovci e sheh si shumë brengosës faktin se kjo dukuri është në rritje te brezi i ri, përderisa gjërat po ndodhin në një vend që nuk ka akoma qendër rehabilitimi dhe trajtimi të pacientëve të prekur nga kjo dukuri.
“Janë vetëm nëntë shtretër për trajtim dhe jemi larg mbulimit të nevojave brenda shtetit për këtë dukuri në rritje e sipër”.
Në bashkëpunim me qendrat tjera, janë duke u ndërmarrë hapa adekuatë për hapjen e një qendre rehabilituese dhe shëruese në Kosovë.
Ajo që dihet deri më tani, është se rrugët e trajtimit të brezave të rinj nga përdorimi i narkotikëve janë të ndryshëm dhe në Kosovë më shumë mbulohen nga shoqata dhe organizatat e ndryshme private nga personat që janë trajtuar dhe shëruar vetë .
Njëri ndër të shëruarit në një organizatë në shkup, thotë se atje ka gjetur shërimin.
“Vetëm pak përdorues ,arrijnë t’i kthehen jetës normale”
“Unë jam shëruar në Shkup, në një shoqatë të cilën e udhëheq një spanjoll, nuk dua të flas me emra”, thotë burimi i gazetës i cili aktualisht është në shërbim humanitar në bëmirësi dhe shton:
“Kam vuajtur shumë. Kam qenë jashtë Kosovës, e më kanë kthyer në Kosovë. Kam mbajtur burg atje dhe këtu për shkak të përdorimit dhe erdha në pozitë që mua askush të mos më thotë më mirë dita, e as mirë mbrëma. Isha katandisur keq në rrugët e jetës dhe më në fund vendosa ta përqafoi shërimin. Vendosa të kem karakter dhe vendim dhe ta kërkoj shpëtimin pas shumë vuajtjeve dhe dështimeve që kisha pasur, kur edhe humba familjen, humba gruan jashtë dhe shkova në Shkup, në fakt në periferi të Shkupit dhe vendosa ta aplikojë standardin e shoqatës që është pa pagesë dhe që ekzistenca e saj bëhet nga pronari i saj dhe ndihmohet edhe nga detyrat e anëtarëve që aty vëllazërohen duke e ndihmuar njëri tjetrin.
Vendosa të dal nga rruga e helmit, sepse kuptova se ata që i kisha rreth vetes, nuk më donin pse unë isha dikushi, por më donin pse isha i tillë në rrugën e humbjes .Në fakt, më nuk më donte as nëna, as familja. Edhe që jam shëruar qe sa e sa vjet dhe punoj si humanist, më duket se nëna më shikon sikur jam kthyer nga bota tjetër, sikur jam kthyer nga vdekja dhe u shërbej të gjallëve. Unë nuk kam çka i bëjë sot vetes, sepse s’mund ta dënoj më veten, por ndihem tepër keq kur e kthej kokën në të kaluarën time.
Unë për shembull kur shkova atje, më mori përsipër një burrë që kishte arritur të dilte nga rrethi i drogave. Ai më mori përsipër dhe unë e fillova rrugën e shërimit. Nuk ishte e lehtë por, ata që kanë kaluar këtë rrugë e dinë më së miri si të sillen me personat që kanë hyrë në shërim por kanë vështirësi të dalin. Aty detyrohesh ta lësh edhe duhanin.
Sjellja e anëtarëve në detyra të caktuara bën që të kesh gjithnjë angazhime në punë dhe aty edhe fiton zanate ekzistenciale që shërbejnë për jetë pasi del nga shtëpia.
Unë ende shkoj dhe i vizitoj, sepse kam shërbyer me vite dhe kam ndihmuar në shërim dhjetëra njerëz.
Sot punoj në humanitet me kishën katolike , kam në përdorim veturën dhe kam bërë martesë , kam edhe fëmijë dhe nuk ka asnjë faktor që mund të më kthejë në rrugën e dikurshme.
Pasojat e një njeriu që ka dal nga rruga e drogave, është e rëndë. Unë kam pasoja dhe për shembull nëse më paraqitet nevoja për infuzione venoze, unë i kam të mbyllura venat dhe nuk mund të zbulohen fare dhe kjo është pasojë e rëndë edhe pse kam vite që e kam kaluar këtë problem. Ajo që më dhemb kaq shumë sot është kur i shoh aq shumë të rinj në këtë rrugë e unë e di se vetëm një në dhjetë veta, del nga ai ferr, por kur del, me siguri ka pasoja të pa shërueshme . Kur i kuptojnë pasojat, mjerisht është vonë”, ka thënë njeriu që është burim i këtij shkrimi,(emri i njohur për redaksinë)./S.Krivaça