Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ditën e sotme Termocentralin “Kosova B” të KEK-ut, në të cilin janë duke u bërë remontet në përgatitje për sezonin e dimrit, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Prezent ishte dhe u.d Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri.
Sipas njoftimit, qëndrimi në KEK, kishte në fokus jo vetëm vëzhgimin nga afër të kushteve dhe punës që zhvillohet atje, por veçanërisht edhe bashkëbisedimin me punëtorët e KEK-ut, në lidhje me angazhimin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen ata.
Më tej thuhet se sot KEK-ut po i bashkohen 149 punëtorë të rinj, për të cilin kryeministri nënvizoi rëndësinë e shtimit të kuadrove të reja dhe inkuadrimit të sa më shumë të rinjve e të rejave.
“Ne e duam dhe e vlerësojmë lart KEK-un si burim natyror i energjisë, si kapacitet prodhues e zhvillimor, por njëkohësisht edhe si organizatë e punëtorëve që po zgjerohet sot,” tha Kurti.
Kryeministri theksoi se KEK-u është jetik për ekonominë e Kosovës dhe rritja ekonomike që e ka shteti në tri vitet e fundit, mesatarisht 6.2 për qind të bruto produktit vendor,që thuhet se nuk do të ishte i mundur pa energjinë që vjen nga ky vend dhe nga puna e palodhshme e punëtorëve atje.
“Në përfundim, kryeministri ju dëshiroi suksese e punë të mbarë punëtorëve të rinj, si dhe shprehu përkrahjen e palëkundur të Qeverisë për KEK-un”, thuhet tutje.