Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se është publikuar lista e përfituesve të skemës “Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese”.
“Qëllimi kryesor i kësaj skeme është ta ndihmojë mësimdhënien e bazuar në punë hulumtuese duke financuar veprimet mësimore të bazuara në punë hulumtuese, të cilat propozohen nga mësimdhënësit e universiteteve për lëndë specifike për t’i përtërirë agjendat aktuale të mësimdhënies”, shprehet Nagavci.
Përmes një postimi në Facebookm Nagavci ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për këtë skemë mbështetëse është 150 mijë euro, ku do të ofrohen 15 grante në vlerë prej 10 mijë euro.
“Pas kalimit nëpër një proces transparent, secili aplikim është vlerësuar nga 3 ekspertë të angazhuar nga Diaspora shqiptare në arsimin e lartë në Evropë dhe ShBA, ndërsa lista me pikët e vlerësimit nga ekspertët ka kaluar nëpër Jurinë e emëruar për këtë program te udhëhequr nga Prof. Bruno Sergi nga Universiteti i Harvardit. Kjo listë tashmë është miratuar edhe nga Këshilli Shkencor në MASHTI. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese 15 ditë nga dita e shpalljes së këtij njoftimi”, shton tutje ministrja.