Policia e Kosovës ka konfiskuar një arsenal armësh dhe municionesh në një kotec pulash afër lumit Ibër në Mitrovicën Veriore.
Mes sendeve të sekuestruara janë një armë AK-47, fishekë të ndryshëm, një thikë taktike dhe pajisje për pastrim armësh.
Një i dyshuar 68-vjeçar është intervistuar dhe më pas liruar me vendim të prokurorit, ndërsa është hapur një rast për mbajtje të paautorizuar të armëve.
“Me datën 04.02.2025, pas pranimit të një informate mbi dyshimet se në një lokacion ka armë, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme ku kanë kryer një kontroll në një lagje afër lumit Ibër përkatësisht tek Shkëmbi i Dudës në qytetin e Mitrovicës Veriore. Gjatë kontrollit të realizuar në atë pjesë në një kotec pulash policia ka gjetur dhe konfiskuar:
• Një armë te gjatë – AK-47,
• Dy (2) karikator të së njëjtës armë me nga (tridhjetë) 30 fishek,
• Katërqind e shtatëdhjetë e tre (473) fishek të pistoletës,
• Dyzet (40 ) fishek të armës së gjuetisë,
• Njëqind e njëzet e dy (122) fishekë të kalibrave të ndryshëm të armës së gjatë,
• Një (1) thikë taktike,
• Një (1) komplet i pajisjeve për pastrimin e armës dhe
• Një (1) çantë e zezë.
Në lidhje me rastin në Stacion Policor është shoqëruar i dyshuari Z.T i moshës 68 vjeçare i cili është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës.
Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve’’, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar”, thuhet në njoftim.