Policia e Kosovës ka njoftuar për rezultatet e planit operativ “Ditët e veprimit të përbashkët “JAD SEE 2024 ”, në të cilin thuhet se mes tjerash janë identifikuar 10 raste të marrjes me prostitucion dhe janë arrestuar 21 persona të dyshuar.
Në kuadër të aksionit, janë inspektuar 125 lokale në tërë territorin e vendit.
Në realizim të këtij plani përveç operacioneve të përbashkëta me inspektorë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe Administratës Tatimore të Kosovës dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e lokaleve, thuhet se është realizuar edhe plani taktik lidhur me eskorta.
“Bazuar në planin e përgatitur, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, DHTNj, ka ndërmarrë veprimet siç janë: operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, operacione të përbashkëta me inspektorë të MINT, ATK-së dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e lokaleve, plani taktik lidhur me eskorta”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit, janë iniciuar 7 raste për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, ku u arrestuan shtatë gra të dyshuara dhe u identifikuan shtatë fëmijë që lypnin lëmoshë.
Po ashtu, janë sekuestruar 73 dokumente nga persona të huaj, ku një prej tyre kishte urdhër-arrest aktiv dhe iu dorëzua autoriteteve për procedura të mëtutjeshme.
“Gjatë këtij plani janë sekuestruar gjithsej 73 dokumente nga personat e huaj, të cilët janë referuar në DMH për verifikim dhe trajtim sipas ligjit për të huaj, ku 1 person gjatë verifikimit ka rezultuar me urdhër arrest aktiv dhe i është dorëzuar stacionit përkatës për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Aksioni u realizua në bashkëpunim me inspektorë nga MINT, ATK, Inspektorati i Punës dhe partnerë ndërkombëtarë, si EUROPOL, FRONTEX dhe INTERPOL.