Ndërmjetësit nga SHBA kanë propozuar zyrtarisht një armëpushim “të kufizuar” midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, i cili do të ishte “hapi i parë” drejt një armëpushimi afatgjatë në vend, raportoi Reuters.
Siç shkruan kjo agjenci e lajmeve, një armëpushim dy-mujor do të jepte kohë të mjaftueshme për të zbatuar Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 2006, transmeton Telegram News.
Kjo rezolutë rregullon çështjen e armatimeve në Liban, d.m.th. qeveria qendrore në Bejrut do të ruante kontrollin e plotë dhe ndoshta do të “çlironte” pjesën jugore të këtij vendi nga armët.
“Ne duam të ritheksojmë që ne po kërkojmë një zgjidhje diplomatike që zbaton plotësisht Rezolutën 1701 dhe i kthen qytetarët izraelitë dhe libanezë në shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit,” tha Sama Habib, një zëdhënëse e Ambasadës së SHBA-së në Bejrut.
Përpjekja e fundit për një zgjidhje civile për konfliktin vjen pasi operacioni izraelit në Liban vazhdon të zgjerohet. /TelegramNews/