Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme pas plagosjes së dy personave në Fshatin e Ri të Vitisë.
Me këtë rast, bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur një armë automatike e llojit AK-47, me dy karikatorë dhe katër fishekë, 17 gëzhoja, një pistoletë me tre fishekë, një pushkë gjuetie dhe një tjetër pistoletë me dy karikatorë dhe 28 fishekë.
“Njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan në vazhdën e hetimit të rastit të shtënave me armë zjarri në Fshatin e Ri, komuna e Vitisë si pasojë e të cilit dy persona janë plagosur, me leje nga Prokurori i Shtetit ka realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme. Gjatë kontrollit të realizuar dhe në vendin e ngjarjes në cilësi të provave material janë sekuestruar: Një (1) armë automatike e llojit AK-47 me dy (2) karikator dhe katër (4) fishekë të kalibrit 7.62 mm, Shtatëmbëdhjetë (17) gëzhoja të kalibrit 7.62 mm Një (1) pistoletë e llojit SIG 14 e kalibrit 9 mm, Tre (3) fishekë të kalibrit 9 mm, Një (1) pushkë gjuetie e llojit CIF-San, Një (1) pistoletë e llojit SIG SAUER me dy (2) karikatorë dhe Njëzetetetë (28) copë fishek të kalibrit 9×19 mm” bëri të ditur Policia.
Derisa më tej thuhet se “me urdhër të Prokurorit të Shtetit në mbajtje për 48 orë janë dërguar të dyshuarit N.H. dhe N.B. për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe A.B. për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.