Skuadra nga Obiliqi, KEK-u pësoi humbje të thellë në udhëtim te Prishtina e Re, me rezultat 5:0.
Menjëherë pas kësaj disfate, ata dolën me reagim në lidhje me referimin e këtij takimi.
Ata i lanë faj mënyrës së referimit, që lojtarët e tyre humbën motivimin dhe mësuan humbje të tillë.
“Një referim skandaloz ndikoi që lojtarët tanë të humbnin motivimin, çka çoi në një humbje të thellë 5-0 ndaj Prishtinës së Re, e cila, pa dyshim, e meritoi fitoren”, shkruhet fillimisht në reagimin e tyre.
Ja reagimi i plotë i klubit:
Një referim skandaloz ndikoi që lojtarët tanë të humbnin motivimin, çka çoi në një humbje të thellë 5-0 ndaj Prishtinës së Re, e cila, pa dyshim, e meritoi fitoren.
Dy golat e parë erdhën si rezultat i vendimeve të padrejta nga ana e gjyqtarit, duke akorduar një faull për Prishtinën e Re, megjithëse nuk pati asnjë kontakt të dukshëm për një faull. Goli i dytë u shënua pas një ndërhyrjeje të dyfishtë ndaj Arbnor Shalës, që nuk u ndëshkua nga gjyqtari, dhe në vend që të akordohej faull, loja vazhdoi, duke sjellë golin e dytë, që na shkatërroi shpresat për një kthim të mundshëm.
Shpresojmë që ky të jetë referimi i fundit i këtij gjyqtari në ndeshjet tona dhe që në shortet e ardhshme të mos kemi të njëjtin refer, i cili nuk ka cilësitë për të gjykuar në Ligën e Parë.