Rusia ka deklaruar se pesë persona janë vrarë nga një sulm ukrainas në rajonin perëndimor të Kurskut.
Zyrtarët ukrainas raportuan më herët se Moska kishte nisur një sulm të ri me raketa në Kiev, duke dëmtuar një ndërtesë ku kishte disa ambasada.
Në Rusi, guvernatori në detyrë i rajonit të Kurskut tha se përveç të vrarëve, nëntë ishin dërguar në spital pas sulmit në qytetin Rylsk.
Alexander Khinshtein tha se një qendër kulturore, një kompleks fitnesi, një shkollë dhe shtëpi ishin dëmtuar nga sulmi, i cili u zhvillua në orën 15:30 me orën lokale të premten.
Zyrtarët rusë raportuan më parë për gjashtë persona të vrarë, rreth 25 kilometra nga kufiri ukrainas.
Por në një mesazh audio në Telegram të shtunën në mëngjes, Khinstein dha përditësimin më të fundit, duke thënë se kishte pesë viktima.
“Nuk kishte fëmijë në mesin e të vrarëve,” tha ai.
Trupat ukrainase mbajnë ende pjesë të rajonit të Kurskut, pasi nisën një ofensivë të befasishme ndërkufitare në fillim të gushtit.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se sulmi i Rusisë në Kiev kishte prekur misionet diplomatike të Shqipërisë, Argjentinës, Maqedonisë së Veriut, Palestinës, Portugalisë dhe Malit të Zi.
Të paktën një person u vra dhe nëntë të tjerë u plagosën në sulmin që dëmtoi një numër ndërtesash në qytet, tha ushtria e Ukrainës. Nuk mendohet të jetë lënduar ndonjë nga diplomatët e ambasadës, shkruan BBC.