Pas eliminimit nga Kupa e Kosovës, Artim Pollozhani ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Ballkanit. Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën klubi kampion i Kosovës.
Ballkani u shokua të mërkurën pasi u eliminua nga Rilindja 1974 që garon në Ligën e Parë të Kosovës. Ballkani humbi 10:9 pas ekzekutimit të penalltive.
“Meqenëse rezultatet e fundit nuk përkojnë aspak me objektivat e klubit, Artim Pollozhani ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit, menjëherë pas humbjes së sotme. Duke i uruar Pollozhanit suksese, klubi e ka pranuar dorëheqjen e tij, ndërsa gjatë ditëve vijuese do të ju njoftojmë për timonierin që do të vijë në krye të skuadrës”, shkruan në njoftimin e Ballkanit.
Pollozhani zëvendësoi Ilir Dajën në postin e trajnerit në mesin e këtij sezoni. Pollozhani më herët ka qenë ndihmës i Dajës, që ka arritur të shkruajë histori me Ballkanin, duke u paraqitur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndërsa fitoi tri herë rresht titullin e kampionit. Edhe Kupën e Kosovës, Ballkani e fitoi nën drejtimin e trajnerit Daja, që ka nisur punën në Shqipëri.
Në Superligë, Ballkani është tetë pikë larg vendit të parë që mbahet nga Drita.