Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se do të hyjë në koalicion me Partinë e Drejtësisë dhe me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se AKR me partnerët e koalicionit do ta paraqesin një program ekonomik siç e quan ai të nevojshëm për Kosovën.
“Mossukseset në ekonomi po e kthejnë shoqërinë tonë në një shoqëri të varur dhe servile, çka është shkaktari kryesor i këtyre sfidave. AKR, së bashku me partnerët e koalicionit, do të paraqesë një program ekonomik të nevojshëm për Kosovën, një program krejtësisht liberal, ku shteti dhe operatorët ekonomikë kanë detyra të qarta dhe të përcaktuara mirë, që nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, duke mos lënë hapësirë për korrupsionin që ka kapluar sistemin tonë”, ka shkruar ai.
Më tej, kreu i AKR-së tha se ky koalicion bazohet në mbrojtjen e vlerave patriotike e të familjes.
“Me këtë, dua të theksoj se përveç ruajtjes së vlerave, ky koalicion bazohet në mbrojtjen e vlerave patriotike, të familjes dhe të drejtave themelore të çdo njeriu, i mbështetur nga një program ekonomik tërësisht i përcaktuar, që i nevojitet Kosovës dhe që do të prezantohet shumë shpejt”, shtoi tutje Pacolli. /TelegramNews/