Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas deklaratave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian në lidhje me aksionin e së premtes të Policisë së Kosovës në katër komunat veriore të vendit.
Nga Çekia, ajo është shprehur se koordinimi me aleatët ka rezultuar në suksese historike, afatgjata e të qëndrueshme.
“Unë jam e bindur që derisa edhe Kosova dhe institucionet e saj dhe aletatët tanë perëndimorë kërkojnë dhe kanë një synim të përbashkët, Kosova e pavarur, sovrane në kufijtë e saj dhe e integruar në strukturat euroatlantike, nuancat dhe rruga drejt mirëmbajtjes së këtij realiteti dhe arritjes së qëllimeve më të larta, duhet të jenë vazhdimisht të koordinuara, në të mirën e Kosovës, sigurisë rajonale dhe më gjerë, sepse historia e Kosovës dëshmon se çdo aleat që kemi bërë bashkë me aleatët tanë historikë dhe të sigurisë, gjithnjë ka rezultuar në suksese historike, afatgjate dhe të qëndrueshme.” – ka thënë Osmani për “REL”.
Tutje, ajo është shprehur:
“Natyrisht që situata në veri të Kosovës është shumë sfiduese sepse përkundër Marrëveshjes së vitit 2013, e cila kërkon që të gjitha strukturat ilegale të shpërbëhen, ato janë forcuar nga Vuçiq në këtë dekadë dhe janë shndërruar në grupe mafioze që edhe sfidojnë sigurinë e sovranitetin, pore dhe vetë jetën e qytetarëve që jetojnë në veriun e vendit”.
Sipas Presidentes, institucionet e Kosovës “me qëllim legjitim” po sigurohen që sundimi i ligjit të vlejë, por që në anën tjetër, duhet të mos lejohen “forcat e errëta” të krijojnë ndarje me aleatët.
“Tani institucionet e Kosovës, me qëllim legjitim natyrisht dhe në përputhje me Kushtetutën, po sigurohen që sundimi i ligjit të vlejë në çdo cep të Kosovës. Në anën tjetër, ne duhet të kuptojmë që në këtë qëllim kaq legjitim, mos të lejojmë asnjë forcë të errët, asnjë shtet që kaqëllime dashakëqija ndaj Kosovës dhe rajonit tonë, të krijojë ndarje mes neve dhe aleatëve tanë, sepse kjo ndarje në afatgjatë Kosovës i kushton shumë.” – u shpreh ajo.
Në fund, Osmani ka përsëritur se këto veprime janë legjitime, por se suksesi varet nga puna me aleatët.
“Kosova ka mundësi që të jetë e suksesshme në shtrirje të sovranitetit, bashkë me aleatë. Kërkohet më shumë komunikim, konsultim, koordinim. Veprimet janë legjtime dhe në përputhje me Kushtetutën, afatgjatësia e tyre, suksesi i tyre, qëndrueshmëria e tyre, varet edhe nga ajo se sa punojmë bashkë me aleatë”.
Ndryshe, pas mbylljes së objekteve të komunave ilegale në veri, ShBA mbrëmjen e së premtës lëshoi një deklaratë të ashpër, ku mes tjerash, thuhej se Qeveria e Kosovës ka instrumentalizuar policinë.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.” – thuhej në komunikatën, ku mes tjerash, theksohej se partneriteti ShBA-Kosovë po përkeqësohet.
Ndërkohë, ambasadorët e vendeve të tjera në Kosovë thanë se këto veprime ishin të njënashme dhe nuk u koordinuan me ta.