Gjatë javës së kaluar, në New york, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.
Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani theksoi punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë.
“Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë. Ajo theksoi gjithashtu punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, duke e konsideruar këtë si një shembull të përkushtimit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve, si dhe për frymën e harmonisë ndërfetare që vendi ynë e mishëron me shekuj”, thuhet në njoftim.
Presidentja më tej në takim ka shprehur rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë.
“Presidentja Osmani ka theksuar edhe rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë, si hap të rëndësishëm drejt thellimit të raporteve ndërshtetërore, e cila po ashtu do të kontribuonte drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë”, thuhet më tej në njoftim. /TelegramNews/