Pas homazheve te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta për shtetin tonë në një periudhë të rëndë për Kosovën.
Presidentja Osmani tha se në një kohë kur rrezikohej shfarosja e popullit tonë, Rugova u bë zëri i Kosovës në botë, duke ndërtuar aleanca të fuqishme, duke përmendur këtu edhe NATO-n që ndihmoi në çlirimin e vendit.
“Sot është 19 vjetori i shkuarjes në amshim i presidentit historik dhe të parë të Republikës së Kosovës, atit themeltar të shtetit tonë, Ibrahim Rugova. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë në një kohë jashtëzakonisht të rëndë për popullin tonë kur rrezikohej edhe shfarosja e popullit të Kosovës”.
“Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshtën më së shumti në ato kohë të vështira e të cilat rezultuan me intervenimin e NATO-s i cili edhe e ndihmoi çlirimin e Kosovës, e pastaj edhe mbështetja e shteteve mike ndihmoi pavarësimin e vendit tonë”, tha Osmani para gazetarëve sot.
Tutje ajo shtoi se vizioni i ish-presidentit Rugova ishte largpamës dhe se si politikan i solli politikës një dimension human, dhe se mbetet një shembull i politik-bërjes në Kosovë, por edhe “kudo që shkojmë në botë”.
“Vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës, ishte një politikan i jashtëzakonshëm që i solli politikës dimensionin human të saj, dimension që i mungonte për një kohë të gjatë, prandaj mbetet jo vetëm shembull i politikbërjes në Kosovë edhe kudo që shkojmë në botë. Jemi përjetësisht mirënjohës për kontributin e tij, që do të shërbejë si udhërrëfyes jo vetëm për ne që jemi sot në udhëheqje të Kosovës por edhe në brezat që do të vijnë pas”, tha presidentja Osmani.
Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.