Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se fjalët e shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ismail Kadare kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën.
Osmani ndër tjerash tha se Liria e Kosovës për Kadarenë ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë sipas saj, është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën.
“Me zemër të rënduar i thamë lamtumirë penës së shquar dhe kolosit të papërsëritshëm, fjalët e të cilit kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën. Për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor. Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare”, tha Osmani.