Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sot para gazetarëve për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, ku e para shtetit nuk mori pjesë, por tha se kishte dërguar një delegacion presidencial të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet, gjë që siç tha e kishin bërë të gjithë liderët shtetëtor.
Osmani tha Trumpin e kishte uruar personalisht kur ishte takuar me të në Paris, me të cilin ajo shtoi se ka folur për sigurinë në Kosovë dhe rajon.
“Siç ju kam informuar në këtë ceremoni kam qenë e ftuar nga anëtarë të Kongresit dhe anëtarë të Senatit. Meqenëse shumica dërmuese e shteteve siç keni mundur ta shihni dje sa i përket liderëve shtetëror që janë udhëheqësesh shtetesh janë përfaqësuar nga ambasadorët, të njëjtin model protokollar e kemi zbatuar edhe ne. Unë kam dërguar një delegacion Presidencial të udhëhequr nga shefja ime e stafit dhe këshilltarja për politikë të jashtme të cilat të shoqëruara nga ambasadori ynë në ShBA, Ilir Dugolli, kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet inauguruese e të cilat në fakt akoma po vazhdojnë, përfshirë takime të ekipit që unë e kam deleguar dhe sapo të përfundojnë të gjitha takimet e tyre dhe vizita e tyre, ne do të lëshojmë një komunikatë ku do ta informojmë publikun për të gjitha këto takime”, tha Osmani para gazetarëve.
“Kam pasur mundësinë ta urojë personalisht presidentin Trump gjatë vizitës në Paris, dhe të kem një bisedë përmbajtësore me të lidhur me siguatën e sigurisë në Kosovë, dhe rajonin tonë, dhe rreziqet që i kanosen këtij rajoni. Kam shprehur besimin e plotë në lidershipin e tij për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe më gjerë dhe për ta thelluar bashkëpunimin dhe jam e kënaqur dhe shumë optimiste pas asaj bisede.
Presidentja Osmani shtoi se kishte zhvilluar takime për më shumë se një vit me përfaqësues republikanë, dhe tha se nga kontatet që ka pasur mund të thotë se Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga administrata Trump.
“Ka më shumë se një vit që kamë vazhduar takime të shumta me përfaqësues republikanë dhe bazuar në të gjitha këto kontakte, e them me besim të plotë që Kosova ka mbështetje të fuqishme në këtë administratë dhe në përgjithësi në partinë Republikane e cila siç e dini ka qenë në pushtet në momente vendimtare të historisë sonë, përfshirë kur Kosova ka shpallur pavarësinë, është njohur nga ShBA-ja”, tha Osmani para gazetarëve.