Paralajmërimi i Qeverisë për rritje të pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm po konsiderohet se po realizohet për fushatë zgjedhore. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë, të cilët theksojnë se kjo rritje është e ‘pamjaftueshme dhe e dështuar’.
Të njëjtit këtë rritje të pagave e quajnë të dështuar, pasi siç thonë ata “nuk kanë një planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë, dhe ndarje buxhetore kundrejt vlerave dhe rritjeve të shpenzimit”.
Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë për KosovaPress se kjo rritje e pagave është e pasinqertë, pasi po vije në kohën e zgjedhjeve.
“Një rritje e pagave nga ana e Qeverisë, vlerësoj se është shumë e pasinqertë, për faktin se kjo rritje duhet t’i kujtohet qeverisë së është tipik në kohën e zgjedhjeve, për faktin se tanimë dihet data e zgjedhjeve. Ndërsa, gjatë gjithë mandatit ishte aq shumë koprrace dhe në fakt injoronte çdo kërkesë të gjithë sindikatave dhe mund të citojmë kryeministrin aktual kur injoronte kërkesat e sindikatës së arsimit, që është shprehur në atë mënyrë “mi jep 100 euro”, ndërsa sot e ka hapur kuletën e shtetit. Çdo ditë dhe çdo muaj po tenton t’i rrisë pagat duke përfituar për interes politik dhe të fuqizimit të subjektit politik aktual. Por duhet të kenë të qartë që kjo qeveri me këtë rritje të pagave nuk ka menduar edhe faktorin tjetër ekonomik, që do të nxitë inflacionin ekonomik, sepse bizneset më të nuhatur fuqizimin e pagës, tentojnë t’i rrisin pagat, dhe në këtë drejtim, do të përfitojë politikisht qeveria aktuale, ekonomikisht do të përftojnë bizneset, ndërsa qytetari sërish nuk do të mund të blejë diçka më shumë, por ato çka i merr do t’i shpenzojë në shportën e konsumit”, thotë Kadriaj.
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli konsideron se është një dështim i këtyre institucioneve që nuk kanë planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë.
“Parashohim një rritje të koeficientit kundrejt shpenzimeve, kundrejt rritjeve, taksave shtetërore dhe rritjes së çmimeve dhe të konsumit. Mund të them se është edhe një dështim i këtyre institucioneve që nuk kanë një planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë, dhe ndarje buxhetore kundrejt vlerave dhe rritjeve të shpenzimit. Është edhe një paradoks i shkallëve tatimore, sepse më nuk e kemi shkallen tatimore me 4 për qind, dhe tashmë këto të hyra kur goditen edhe me 8 për qind, kjo vlerë do të ulet gradualisht edhe në taksat apo pagat e shërbyeseve civil. Tashmë kur kemi edhe një rritje të tatimit në pronë prej 110 apo 210 për qind për biznese, dhe rritjes së energjisë elektrike të vazhdueshme, besoj se kjo është ofenduese për çdo shërbyes civil, nuk është ajo e kënaqshmja dhe e pritshmja, por nuk është as edhe e mjaftueshmja, dëshirueshmja, të paktën për të mbijetuar dinjetetshem. Kështu, me shkatërrimin e sektorit privat, tashmë po kalohet në institucionet shtetërore, dhe kjo është emergjente dhe e relativisht e rrezikshme për vendin”, thotë Qorrolli.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.
Nga kjo rritje do të përfitojnë, mësuesit, policët, infermierët, ushtarët dhe zjarrfikësit.
Sipas prezantimit të tabelës, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagën bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.
Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro. /kp