Për të pestën herë që nga fillimi i Lojërave, seancat stërvitore për garat e notit në ujëra të hapura u anuluan për shkak se lumi Seine nuk ishte mjaft i pastër dhe i sigurt për notarët.
– Pas një takimi të përditshëm për situatën sot në mëngjes midis Ville de Paris, Paris 2024 dhe World Aquatics, u vendos që prezantimi që duhej të bëhej sot, 6 gusht 2024, të shtyhet, thuhet në një deklaratë të World Aquatics.
Si për kujtesë, që nga fillimi i Lojërave, organizatorët kanë monitoruar nga afër nivelet e baktereve fekale në Seine për t’u siguruar që është i sigurt për notarët.
Edhe pse autoritetet franceze shpenzuan 1.4 miliardë dollarë për të përmirësuar sistemin e kanalizimit të Parisit, shirat që ranë në fillim të Lojërave krijuan një problem të madh me ndotjen e lumit, për shkak të të cilit u anuluan shumë seanca stërvitore dhe mbajtja e triathlon u zhvendos në një ditë më vonë.
Tani po dalin informacione që tregojnë qartë probleme me sportistët që kanë notuar në lumë. Belgesja Claire Michel përfundoi në spital e infektuar me bakterin E.coli, i cili shkakton probleme me stomakun dhe zorrët dhe që është një nga dy bakteret e diskutueshme për të cilat është paralajmëruar që nga fillimi i Lojërave.
Probleme të ngjashme kanë edhe disa sportistë të tjerë, mes tyre zvicerani Adrien Brifford, i cili gjithashtu ka notuar në Seine, si dhe norvegjezi Vetrle Bergsvik Thorn.
– Ne mendojmë atë që mendojnë të gjithë, se është për shkak të notit në lumë, por nuk e dimë. Ndoshta është te lumi, ndoshta është te pula. Mjeku e lë të hapur mundësinë e helmimit nga ushqimi, tha Thorn, i cili u sëmur 24 orë pasi kishte notuar në Senë.