Prokuroria Speciale sot gjatë ditës ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqit dhe dy personave të tjerë, e të cilët dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, një gjë e tillë dyshohet të ketë ka ndodhur gjatë viteve 2021-2023. Të pandehurit po akuzohen për veprat penale, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe ndihmë në keqpërdorim të detyrës dhe autoritet zyrtar”.
Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e parë ndaj Krasniqit më 19 gusht të këtij viti, për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në fillim të dhjetorit, Krasniqi u intervistua si i dyshuar nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet për dallaveret me rrymë. Ai akuzohet se i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Krasniqi ishte liruar nga posti i tij si shef i KEK-ut më 24 prill të këtij viti, pasi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar.
Pas arrestimit, në muajin shtator të vitit të kaluar, ai u lirua nga paraburgimi, por me kushtin që të mos t’i afrohej objektit të KEK-ut për një distancë prej 50 metrash.
Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.