Deputeti i LDK-së Besian Mustafa është shprehur i habitur për siç e ka quajtur “koordinimin e shefes së deputetëve të Vetëvendosjes me një figurë famëkeqe kriminale si Radojçiq”.
“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë. Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke qitur në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, thuhet në reagimin e deputetit Mustafa.
I njëjti ka ftuar prokurorinë që ta hetojë këtë rast.
“Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, është shprehur Mustafa.