Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur rreth zhvillimit të ekonomisë në Kosovë përgjatë këtij viti.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se pas rritjes në tremujorin e parë 5.62%, ekonomia ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë 4.27%, sipas të dhënave të ASK-së, duke performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8% – 3.9%.
“Pas ngadalësimit dhe uljes së inflacionit tani në nivelin prej nën 2%, aq sa është edhe synimi i Bankës Qendrore Evropiane, bizneset dhe ekonomia e vendit po kthehen në trajektoren e rritjes më të shpejtë, aty ku edhe nisëm pas pandemisë. Ky është sinjal që politikat e qeverisë sonë për mbështetje të bujqve, bizneseve prodhuese dhe masave mbështetëse të punësimit po funksionojnë”, ka shkruar Murati.