Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se këtë vit në Kosovë nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet në vendin e punës.
Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se Inspektorati i Punës do të vazhdojë kontrollet me intensitet të shtuar në vendet e punës ku rrezikshmëria është e lartë, duke shtuar se do të rritet numri inspektorëve.
“Deri më tani, sivjet kemi 0 aksidente me fatalitet në vendin e punës. Urojmë që ky trend të vazhdojë deri në fund të vitit, e të bëhet normë e re edhe për vitet e ardhshme!Inspektorati i Punës do të vazhdojë kontrollet me intensitet të shtuar, sidomos në sektorët që përbëjnë rrezikshmëri të lartë. Kemi dyfishuar numrin e inspektorëve të punës, dhe numri do të rritet edhe më tutje sivjet.Gjithashtu, janë shtuar ndjeshëm edhe kampanjat e përqendruara të inspektimeve, siç e kishim në tremujorin e parë të këtij viti, në bashkëpunim edhe me ATK-në” ka shkruar Murati.
Derisa u ka bërë thirrje punëdhënësve që të sigurojnë kushte dhe siguri në punë për punëtorët.
“Në mënyrë që ky trend i jashtëzakonshëm të vazhdojë, lusim të gjithë punëtorët që të kenë kujdes gjatë punës. Njëkohësisht u bëjmë thirrje edhe punëdhënësve që të sigurohen se i përmbushin kushtet për të ofruar ambiente të sigurta pune dhe pajisje përkatëse që parandalojnë lëndimet në vendin e punës. Bashkërisht, le ta mbajmë këtë statistikë zero”, ka thënë tutje ministri.