Të hënën e 2 shtatorit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës filloi viti i ri shkollor 2024/2025.
E këtë vit për dallim nga vitet e tjera në Komunën e Prishtinës në disa shkolla, filloi të aplikohet edhe mësimi gjithëditor.
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se mësimi tërëditor siguron edukim më cilësor te fëmijët.
“Është një gur themel për arsimin në kryeqytet dhe një model për gjithë Kosovën, e cila do të mundësojë zhvillimin dhe ngritje në karrierë”, tha ajo.
Por shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemaili” në kryeqytet si duket nuk po i shkon fillimviti ashtu siç është planifikuar.
Kjo pasi shkolla në fjalë po përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Këtë gjë po e shohin si shqetësim të madh prindërit e nxënësve të kësaj shkolle.
Të njëjtit i kanë thënë redaksisë se ky është problem sidomos për shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve, pasi ata pas pushimit të gjatë nuk mund t’i shfrytëzojnë toaletet e shkollës.
Për këtë shkak është marrë vendim tashmë që mësimi në këtë shkollë sikur për ndërrimin e paradites ashtu edhe atë të pasdites të mbahet me orar të shkurtuar.
Madje në një bisedë të grupit të prindërve nga kjo shkollë apelohet për kujdes duke thënë: Mos i lejoni fëmijët t’i përdorin banjot gjatë daljes”.
Një prind i tha sot redaksisë së TelegramNews, se vajza e saj i ka mbajtur vetëm dy orë mësimore për shkak të mungesës së ujit.
E njëjta tha se lajmërimi për këtë u bë nga kujdestarja e klasës përkatëse, por se nuk është dhënë asnjë sqarim për këtë situatë./TelegramNews./