Në konferencën e organizuar për media, ministri Çeku ka njoftuar se MKRS-ja ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj personave përgjegjës për rrënimin e paligjshëm të “Kompleksit Saraji i Vjetër”, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme shtetërore.
Bëhet e ditur se në kallëzimin penal janë të përfshirë kryetari i Komunës së Prizrenit, drejtori i Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtorja profesionale e Komunës së Prizrenit, drejtoresha e Departamentit Ligjor të MMPHI-së dhe pronari privat si investitor.
“Rrënimi i paligjshëm i këtij kompleksi me rëndësi historike ka ndodhur më 27 maj 2024, vetëm dy muaj pasi aseti kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme. Ky veprim u mundësua nga lëshimi i dy lejeve të paligjshme nga Komuna e Prizrenit. Ministria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të siguruar drejtësi në këtë rast por edhe për rastet e tjera”, thuhet tutje./TelegramNews./