Misioni i SHBA-së në OSBE ka shprehur shqetësim për veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës në veri, duke theksuar se këto veprime kanë shkaktuar ndikime negative mbi komunitetet serbe dhe pakicat tjera.
SHBA kritikon Qeverinë e Kosovës për rritjen e rrezikut për qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it dhe për minimin e reputacionit të Kosovës si partner ndërkombëtar.
Misioni i SHBA-së i bën thirrje Kosovës të trajtojë çështjet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkushtohet në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke synuar njohje reciproke.
Reagimi i plotë nga Misioni i SHBA’së në OSBE të cilin e ka publikuar në faqen e saj Ambasada Amerikane në Kosoë:
Ne kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ata i vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR të udhëhequr nga NATO në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë Misionin në terren të OSBE-së në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcën e Kosovës, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit.
Ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën si një demokraci sovrane, multietnike dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të saj që të promovojnë një shoqëri që respekton të drejtat gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është rënë dakord nga të dyja palët.
Ne e shohim të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe të integruar plotësisht në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Dialogu i normalizimit i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të siguruar që Kosova të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj dhe të përparojë në rrugën e saj evropiane. Ne përsërisim thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara me urgjencë në zbatimin e marrëveshjes që arritën në mars 2023. Përfundimisht, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët tanë të BE-së, në mbështetje të një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bazë të marrëveshjeve dhe detyrimeve të tyre të Dialogut.