Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë që themelimi i Gjykatës Speciale është “padrejtësia më e padurueshme e shkaktuar Kosovës nga vet drejtuesit e saj pas lufte”.
Mihali përmend “kombinimin PDK-LDK” si shkaktare e Gjykatës Speciale.
“Si sot 9 vite më parë deputetët e PDK dhe LDK nën këmbënguljen e ish zvkryeministrit të asaj kohe dhe ish kryetarit të Kuvendit votuan për themelimin e Gjykatës Speciale, pas 8 orësh debat teksa jashtë protestonim. Ai ishte votim për ndryshime kushtetuese me 82 vota, për ligjin për dhomat e specializuara, që Qeveria LDK-PDK e kishte negociuar në Bruksel dhe të ligjit për kompensimin e mbrojtjes. Para rreth një muaji Kuvendi e kishte rrëzuar themelimin e Gjykatës Speciale. Në seancën 6 orë e gjysmë të 26 qershorit 2015, me 75 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e votoi themelimin e Gjykatës Speciale. Atë ditë qershori u patëm gëzuar tej mase. Ishte një çlirim nga një brengë tepër e madhe. Kishim protestuar gati gjithë ditën para Kuvendit. Askush nuk e kishte përkrahur atë protestë, përveç fare pak veteranëve të cilët me plot kthjelltësi kishin vendosur mos me iu bind Thaçi-Veselit por ndërgjegjës së tyre qytetare e kombëtare”, tha ajo, transmeton Telegram News.
Ajo ka vazhduar duke përmendur, sipas saj, përpjekjet e tyre për parandalimin e formimit të kësaj Gjykate e cila mbetet padrejtësia më e padurushme e shkaktuar Kosovës pas lufte.
“As organizata të shoqërisë civile, as individë me profil publik, e as profesorë të së drejtës nuk u panë as me 26 qershor e as me 3 gusht në protestën para Kuvendit. As në shkrime, analiza e komente. Madje në tryezën që patëm organizuar shumica që thërrisnim as nuk guxonin të merrni pjesë. Ato amendamente kushtetuese, ai ligj dhe ai konstruksion i futur brenda sistemit të Kosovës janë shenja më e errët në historinë e Kosovës, pas marrëveshjes për Zajednicën që ka prodhuar kombinimi LDK-PDK. Gjykata speciale mbetet padrejtësia më e padurueshme e shkaktuar Kosovës nga vet drejtuesit e saj pas lufte.
Lutjes, thirrjeve tona, deputetëve tanë, për gjithë vitin 2014-2015 kur përgatiteshin shkëmbimi i letrave Jahjaga-Ashton, marrëveshjeve ndërkombëtare me Holandën, ndryshimeve kushtetuese dhe negociimit për ligjin në Bruksel, ju përgjigjën çapraz në kor e gjithë ish qeveria. Ata thanë se është vendimtare për të ardhmen e Kosovës, madje është një far patriotizmi, sepse Rusia do ta themelonte atë në OKB. E pabesueshme, sureale por ja deklarim i tyre. Ende sot nuk e dimë a e kanë besuar vërtet apo çfarë ishte ai sulm mbi këdo që ishte kundër gjykatës speciale”, tha tutje ajo./TelegramNews