Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është liruar me kusht por sipas vendimit të Gjykatës i njëjti është i obliguar të qëndrojë brenda Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me këtë çështje, përmes një postimi në Facebook, Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka thënë se janë duke punuar që ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani të kthehet në shtëpi.
“Gjatë ditës së djeshme u lirua nga paraburgimi ish ushtari i UÇK-së. Ne po punojmë intensivisht që shumë shpejt ai të kthehet në shtëpi”, tha Mexhiti.
Ai akuzoi BDI-në se po prodhon “kriza artificiale”.
“BDI duhej të prodhonte një krizë tjetër artificiale që të minimizohet fakti se ish ushtari i UÇK-së u lirua nga paraburgimi si rezultat i punës tonë në institucione. Sepse për një parti parapolitike e cila institucionet i ka trajtuar si instrument për ushtrim dhune dhe frikësimi dhe i ka parë ato si mekanizëm për pasurim, për një strukturë me mendësi komuniste, secili keqkuptim, sado i vogël të jetë ai, është një shans për të shkaktuar incident, vetëm e vetëm që ata të provojnë të rikthehen në pushtet!”, tha tutje Mexhiti. /TelegramNews.com.