Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se me qëllim të ndalimit të konsumit të duhanit në ambiente të mbyllura ka kryer mbi 4 mijë inspektime në pesë mujorin e parë të vitit 2024, dhe si rrjedhojë për shkelësit e ligjit ka shqiptuar 1724 gjoba.
“Po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës, ku nga Janari deri në muajin Maj janë realizuar mbi 4 mijë inspektime me qëllim të ndalimit të konsumit të duhanit në ambiente të mbyllura dhe si rrjedhojë janë shqiptuar 1724 gjoba për subjekte të ndryshme që kanë bërë shkelje të këtij ligji”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Ministria e Shendësisë nuk i ka si qëllim shifrat, por rezultatet nga aksionet, të cilat do të vazhdojnë deri kur duhani në hapësira të mbyllura të mos jetë më dukuri normale.
Në këtë drejtim, në njoftim theksohet se përveç njoftimeve për inspektime dhe gjoba, është punuar edhe në plotësim-ndryshimin e Ligjit të ri për Kontroll të Duhanit, përmes të cilit do të ju bëhet zgjidhje edhe disa dilemave të evidentuara, të cilat në një formë ose tjetër ishin pengesë në respektimin e plotë të ligjit.