Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror ka miratuar vetëm 1 për qind të agjendës legjislative të vitit 2024. Të zgjedhurit e popullit, veçmas mazhoranca po kritikohen për efikasitet të dobët të punës dhe dështim të mbikëqyrjes parlamentare. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje arsyetohen se gjatë këtij viti kanë pasur problem me kuorumin, mirëpo fajtor i bëjnë edhe partitë opozitare. Megjithatë, sipas tyre, kjo legjislaturë në tërësi ka miratuar rreth 254 ligje, që sipas tyre janë më shumë sesa legjislaturat paraprake.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Arbër Thaçi se ky sesion ka qenë ndër më të dobëtit të legjislaturës së tetë në Kuvend.
Sipas tij, në tërësi në gjatë këtij sesioni, shumica parlamentare ka arritur t’i miratojë 35 projektligje, nga të cilat 20 janë marrëveshje ndërkombëtare dhe vetëm tri prej tyre janë pjesë e agjendës legjislative të vitit 2024
“Në tërësi në gjatë këtij sesioni, shumica parlamentare ka arritur t’i miratojë 35 projektligje, nga të cilat 20 janë marrëveshje ndërkombëtare dhe vetëm tri prej tyre janë pjesë e agjendës legjislative të vitit 2024. Shprehur me numra afërsisht 1 për qind e agjendës legjislative është miratuar. Në procedurë mbesin diku 20 projektligj, ku nëntë prej tyre janë prej agjendës legjislative të vitit 2024. Nëse i mbledhin në një kuptim kumolativ të gjitha projektligjet që kanë arritur në Kuvend dhe që janë miratuar apo janë në procedurë i bie se diku 90 për qind e agjendës legjislative të vitit 2024 është akoma në trajtim nga ana e ekzekutivit dhe s’ka arritur në Kuvend fare”, thekson ai.
Monitoruesi i punës së Kuvendit shton se të zgjedhurit e popullit dështuan edhe në mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit por edhe agjencive të pavarura që zgjedhën nga Kuvendi.
“Të dhënat flasin edhe për një zhvlerësim të institucioneve të rëndësishme të mbikëqyrjes. Përgjatë gjithë sesioni, kryeministri nuk është ftuar asnjëherë për raportim apo ndonjë interpelancë për çështjet e rëndësishme që kanë ndodhur. Po ashtu kemi edhe një lloj të humbje të peshës së institucioneve të tjera parlamentare si pyetjet parlamentare, pasi shumica prej tyre s’ka marrë përgjigje….Kuorumi ka vazhduar të jetë problem, mungesat në kuptimin numerik tregojnë se kemi një rritje të lehtë dhe të mungesave të deputetëve. Meqenëse aktiviteti i legjislaturës gjatë këtij sesioni është kufizuar në kuptim të zhvillimit të seancave, polarizimet janë bartur edhe te komisionet dhe veçanërisht te komisionet hetimore parlamentare”, deklaron ai.
Sfidat gjatë sesionit pranveror të Kuvendit i pranon edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja, mirëpo shton se në tërësi gjatë mandatit të tyre janë miratuar ligje më shumë sesa në legjislaturat paraprake.
“Kuvendi por edhe komisionet kohë pas kohe kanë pasur vështirësi në kuorum, pasi kuvendi i takon të gjithave, pozitë dhe opozitë. Edhe pse ne kemi pikëpamje të ndryshme politike, votuesi ka vendosur që Kuvendi të jetë divers në kuptimin e personaliteteve që paraqiten aty. Rrjedhimisht mua asnjëherë s’më ka bindur që opozita t’i shmangë komisionit apo të bojkotoi seancat veçse ka një ithnim momental…Te disa ligje kuorumi s’ka qenë i lehtë, pasi deputetët kohë pas kohe mund të ketë obligime paralele, mund të jenë në një udhëtim zyrtarë apo një platformë rajonale të deputetëve. Kohë pas kohe ka ndodhur që të kemi një apo dy deputetë më pak dhe është shfrytëzuar nga opozita që të pamundësohet kalimi i ligjeve në periudha të caktuar. Mirëpo, në fakt me gjithë këto vështirësi ne kemi arritur të kalojmë më shumë ligje sesa çdo legjislaturë tjetër”, thekson Muja.
Kritika ndaj mazhorancës për dështim të përmbushjes së agjendës legjislative adresuan edhe partitë opozitare gjatë kësaj jave.
Kuvendi i Kosovës përmbylli sesionin pranveror më 31 korrik, ndërsa deputetët pritet të rikthehen nga pushimet në javën e dytë të muajt shtator./kp